Transmetuar më 11-06-2021, 17:37

Emra të mëdhenj nga të gjitha sportet treguan mbështetjen e tyre për lëvizjen, e cila synon t’i japë fund pabarazisë racore në të gjitha sferat e jetës. Andre Gray, futbollist i Watford, ka thënë se protestat janë më shumë sesa vdekja e George Floyd në Minneapolis; ato kanë të bëjnë me racizmin sistematik në të gjithë botën.

"Protestat nuk kanë të bëjnë vetëm me George Floyd dhe brutalitetin që po ndodh në Amerikë. Kanë të bëjnë me atë që po ndodh në Angli dhe pjesën tjetër të botës, – tha Grey për "Guardian", citon noa.al.

"Ndjej se jemi me fat që nuk kemi oficerë të armatosur policie në rrugë, sepse mund të na ndodhte si në SHBA. Unë nuk mund ta llogaris sa herë kam shkuar në një klub dhe nuk kam hyrë brenda, sa herë një roje sigurie më ka ndjekur nëpër dyqan. Nuk mund të llogaris sa herë dikush më ka pyetur nëse jam futbollist, sepse kam dalë nga një makinë e bukur.

Shikoni, në fund të ditës unë jam si krejt njerëzit e tjerë në këtë vend. Kjo vlen për një futbollist, një reper apo edhe trafikant droge. Këto janë faktet. Pra, demonstrimet nuk janë vetëm për brutalitetin e policisë në Amerikë, vlejnë edhe për racizmin në Angli. Ngërthejnë edhe Parisin, gjithë botën. Kjo është për shkak të racizmit sistematik, që ndodh kudo".

Sulmuesi i Watford, në funksion të këtij qëllimi, posedon edhe një tatuazh të jashtëzakonshëm në shpinë, përmes të cilit iu bën homazh ikonave me ngjyrë dhe lëvizjes së tyre për të drejtat civile.

Malcom X, Muhammad Ali, Nelson Mandela, Bob Marley dhe më shumë fytyra ikonike shfaqen në këtë tatuazh të stërmadh, që është në të vërtetë një kryevepër artistike. "Lëvizja për të drejtat civile është diçka, që e kam përjetësuar në këtë tatuazh, – tha Grei për "Telegraph", pasi e postoi për herë të parë kryeveprën në trup, përmes rrjeteve sociale.

"Kur isha rreth 23 vjeç, fillova të lexoja të gjitha historitë dhe të shikoja programe televizive", shtoi ai. /noa.al