Transmetuar më 11-06-2021, 04:28

Bosi nga Hasi që krejt policët i ka trazuar. Kështu mund të quhet Fation Dauti, 36-vjeçari shqiptar i cilësuar si person i rrezikshëm në Britani, ndërsa humbi në Komisionin e Apelit për Emigracionin Special.

Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) Dauti është cilësuar person i aftë për dhunë ekstreme dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave.

Sipas Express.co.uk, ai është një gangster, i pretenduar “pa gjurmë financiare” në Mbretërinë e Bashkuar që ka një “Piano Bar” në Shqipëri.

Fation Dautit iu dha qëndrimi i përkohshëm në vitin 2012, sepse ai ishte i martuar me një shtetase të BE-së, letoneze. Ai u bë qytetar i përhershëm në gusht 2017, por “Home Office” e revokoi atë në shtator të 2019-ës, bazuar në kërkesën nga NCA, e cila po hetonte rrjetin e tij, por nuk kishte qenë në gjendje ta akuzonte atë.

Dauti mohon përfshirjen në krim dhe argumentoi gjatë apelit që ai thjesht e njeh shoqërisht ose ishte në lidhje me disa anëtarë të tjerë të bandës që po hetohej.

Këtu përfshihej kushëriri Alket Dauti, 33 vjeç, i cili u arrestua nga oficerët e NCA në qershor të 2018-ës në Penge, në jug të Londrës, dy muaj pasi u takua me Dautinm, para se të ekstradohej në Belgjikë në janar të vitit 2019 për të vuajtur një dënim prej 10 vitesh.

Në mars, gjykatësit pranuan përfaqësimet e “Home Office” dhe NCA se Dauti ishte i përfshirë në krim dhe përbënte një “kërcënim serioz për sigurinë dhe sigurinë publike”, nëse lejohej të qëndronte atje.

Në Apel u tha se i riu kishte fitime të kufizuara, por shijonte klube të natës, produkte dhe automjete të shtrenjta, duke përfshirë Bentley, Range Rover dhe Jaguar.

Në 2012 Dauti u akuzua për plagosjen e një bullgari, akuzë që nuk e pranoi. Më 2013 Dauti u paraqit në “Blackfriars Crown Court” i akuzuar si i përfshirë në goditjen me thikë, por prokuroria u tërhoq për shkak të mungesës së provave.

Dauti tha në seancën dëgjimore se ai ishte atje gjatë asaj nate, por nuk ishte përfshirë në përpleshje me thika.

Ai argumentoi se ndalimi nga policia i shkakton atij dhe gruas së tij shqetësim të madh dhe ai dëshiron të rifillojë jetën e tij me të në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa tani është në Tiranë ku zotëron një “Piano Bar”.

Fotografitë e Dautit me një kallashnikov dhe pistoletë izraelite u gjetën në telefonin e tij gjatë një kontrolli kufitar në Dover.

Martin Matthews, Menaxheri i Operacioneve të NCA, i tha seancës dëgjimore në vitin 2017 se Dauti u vlerësua të ishte “koka” e rrjetit shqiptar.

Ai tha se u bënë disa arrestime, pas kilogramëve kokainë të kapura dhe emigrantë të paligjshëm të ndaluar, gjatë hetimeve në rrjet, por nuk kishte prova të mjaftueshme për të arrestuar Dautin.

Matthews përshkroi Dautin si të identifikuar në vitin 2017 si një subjekt me interes, duke u vlerësuar të jetë udhëheqësi, i një grupi shqiptar etnik të krimit të organizuar, i angazhuar në mënyrë aktive në importimin e drogës, pastrimin e parave dhe kontrabandimin e migrantëve në të gjithë Evropën.

Sidoqoftë, Dauti nisi një apel të menjëhershëm në Gjykatën e Apelit, por nuk dha prova të tjera pse jeta e tij do të rrezikohej dhe gjykata refuzoi kërkesën dje, e enjte. Dauti ka nisur gjithashtu ankesë në Gjykatën e Apelit kundër refuzimit të SIAC për ta lejuar atë përsëri të rikthehet në Britaninë e Madhe.