Transmetuar më 10-06-2021, 22:48

“Rama dhe Soros lobuan kundër meje”, Berisha flet për shpalljen non grata nga SHBA

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, foli sonte për shpalljen “Persona non grata” nga SHBA duke vënë gishtin te dy njerëz që ai tha se thurën intrigat kundër tij.

Berisha ka akuzuar në Syri Tv, pasardhësin e tij, Edi Rama e po ashtu dhe miliarderin George Soros, duke thënë se që të dy kanë lobuar kundër tij në DASH.

Duke u ndalur tek këta dy emra, Berisha u shpreh i bindur se Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është keqinformuar. Sipas Berishës kjo është bërë përmes një puçi të pastër kundër tij.

“Ndaj meje është ngritur një lobing, sepse nuk mundet kurrë një kryeministër të bënte këtë vetëm. E di unë këtë, që Rama i vetëm nuk mund ta bënte dot kurrë për kundërshtarin politik, kurrë”.

Berisha paralajmëroi se kjo që ndodhi nuk do të mbyllet me kaq, pasi Parlamentit Europian dhe Kongresit Amerikan i është kërkuar hetimi i veprimtarisë së George Soros. Berisha pranoi se ai vetë, ka bërë këtë kërkesë të dyfishtë.

“Soros është korruptuesi i madh i politikanëve. Dhe unë këtë e kam denoncuar. Unë kam bërë thirrje që Kongresi i SHBA dhe PE të bëjnë ligje kundër Sorosit”, tha Berisha.

Ai vuri gishtin sërish tek Rama dhe më pas shtoi Hashim Thaçin, kur tha se kjo dyshe, nën lobimin e Soros dhe mbështetjen e Vuçiçit, hartuan projektin për ndarjen e Kosovës.

“Është Soros ai që në Beograd hartoi projektin e ndarjes së Kosovës, që filloi të fuqizohej falë lobimit të Vuçiç, Thaçit dhe Ramës”, – tha z.Berisha.