Transmetuar më 10-06-2021, 19:30

Në një kohë kur ka kaluar më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, pyetja kryesore që shtrojnë shumica e qytetarëve, simpatizantë të Partisë Demokratike ose jo, është nëse do të kthehet opozita në Parlament.

Deputeti i Qarkut të Korçës, Ervin Salianji, tha sot se pavarësisht se nuk i njohin zgjedhjet, PD-ja do të jetë në Parlament në shtator dhe deputetët e saj do të bëjnë të pamundurën që të dalë e drejta dhe vullneti i qytetarëve.

Megjithatë ai siguroi se kësaj here PD nuk do të bëjë si Edi Rama që ndenji 4 vite “hap kutitë ose largohu”, por “do të jetë e pranishme në të gjitha dimensionet e mundshme”.

Në intervistën në Top Channel, Salianji shtoi se nëse partitë e shohin që të gjitha institucionet nuk kanë bërë të mundur që vullneti i qytetarëve të lexohet drejt, padyshim që do të ketë çdo përpjekje për ta rregulluar. Ai gjithsesi nuk tha se si do të arrihet kjo. /blerina/noa.al