Rifillojnë takimet e të dënuarve me familjarët, ka kushte për ata që hyjnë në burgje
Transmetuar më 10-06-2021, 10:44
Foto ilustruese

Burgjet rihapen më 14 qershor për familjarët që duan të takohen me personat e afërm të dënuar. Këtë e bëri të ditur sot, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Ajo tha se ky ndryshim vjen në kuadrin e vendimit për të lehtësuar masat anti Covid-19, raporton noa.al.

Gjonaj tha se mat e reja do të aplikohen nga 14 qershori për një periudhë të pacaktuar. Për të rriturit do të ketë një takim në muaj. Kusht është që familjari të jetë vaksinuar, ose të ketë bërë tampon.

Leje takimi do të jepen edhe për të miturit. Për ta janë rezervuar katër takime në muaj me familjarët e tyre. Edhe në këto raste, personat që do të hyjnë në burgje duhet të kenë bërë më parë tampon ose të jenë vaksinuar.

Po ashtu rikthehet edhe dhënia e lejeve të veçanta. Rinisin edhe veprimtaritë sociale në institucionet e vuajtjes së dënimit.