Transmetuar më 09-06-2021, 07:40

"Ne ta dhamë e ne ta marrim". Kjo duket të jetë moto që po përdor mazhoranca Socialiste e cila ka vendosur t’ia marrë postin Ilir Metës duke e shkarkuar nga detyra me një votim formal në Parlamentin që kontrollohet tërësisht prej tyre.

Nën akuzën se bëri shkelje të rëndë të Kushtetutës, ditën e sotme pritet vendimi pë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Ky votimi vjen si një kërkesë e bërë nga kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca.

Por, nga ana tjetër për parlamentin shqiptar kjo do të cilësohet si një përballje dhe situatë e paprecendentë, ku për herë të parë në 30 vite, deputetët e Kuvendit do të votojnë për të shkarkuar një president.

Pasi Komisioni Hetimor për Shkarkimin e Presidentit miratoi raportin përfundimtar për shkeljet kushtetuese që pretendohet se ka bërë Ilir Meta, sot i takon Kuvendit që të vendosë.

Sa vota i duhen socialistëve, për te ndërmarrë këtë hap? Sipas, nenit 88 të Kushtetutës, kërkohet që shkarkimi i Presidentit të Republikës të marrë jo me pak 94 vota ose 2/3 e të gjithë deputeteve.

Që kjo të ndodhë, Partisë Socialiste i duhet që të sigurojë mbështetje dhe nga deputetë të tjerë, pasi vetë e ka të pamundur sigurimin e këtij numri votash.

Gjithashtu, nuk duhet harruar fakti se deri në këtë moment Kuvendi i Shqipërisë, pas djegies së mandateve nga demokratet dhe LSI në vitin 2017, ka aktualisht 122 deputetë.

Ndërsa, nga këta deputetë ata të cilët mund të votojnë kundër shkarkimit të Presidentit, janë Lefter Maliqi, i cili kandidoi në zgjedhjet e mëparshme nën siglën e LSI, Elda Hoti, Artur Roshi, Korab Lita, kandiduan në 25 prill, si pjesë e listave të demokratëve.

Gjithashtu dhe Gjetan Gjetani, i cili u largua nga PS, dhe iu bashkua LSI-së.

Seanca e ditës së sotme dhe votimi që do të rrjedhë prej saj, do të vërë "vulën" në fushën e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse gjetjet e Parlamentit, për shkelje të Kushtetues nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo.