
Policia në Durrës doli sot me një version të ri të ngjarjes së djeshme në superstradën që të çon në Tiranë, pranë fshatit Fllakë, ku u raportua grabitja me dhunë e një pike karburanti.
Noa.al mëson se është vënë në pranga vetë menaxheri i firmës, pasi akuzohet se kishte simuluar ngjarjen me qëllim justifikimin e shumave të mëdha të parave të xhirove ditore që i kishte humbur duke luajtur lojëra fati.
Po ashtu është arrestuar edhe pronari i lokalit që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ku menaxheri i karburantit kishte humbur lekët duke luajtur lojëra fati.
Noa.al zbardh më poshtë dinamikën e asaj ndodhi te karburant Krasniqi.
Fillimisht dje në mëngjes u raportua se aty u vodh me dhunë një shumë e madhe parash.
Policia shkoi në vendngjarje, në sheshpushimin e karburantit, dhe u informuar nga një person aty që tha se ishte menaxher në kompani, se dy persona me dhunë i kanë marrë një sasi të madhe lekësh. Ai tha se ishte aty pasi mbledh lekët e xhiros së karburantit dhe shtoi se pasi morën paratë, personat e maskuar janë larguar me një automjet.
Në bazë të provave të grumbulluara, sot u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Gerti Farruku, 23 vjeç dhe Arsid Haxhija, 22 vjeç.
Nga hetimet e kryera dhe mbledhja e të gjitha provave procedurale është konstatuar se në momentin e vjedhjes, një person i maskuar ka zbritur nga një mjet dhe i ka vjedhur me dhunë xhiron ditore shtetasit Gert Farruku, 23 vjeç, menaxheri i kompanisë.
Në vijim të hetimeve ka rezultuar se shtetasi Gert Farruku, për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi. Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, ky djalë e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e 22 vjeçarit Arsid Haxhija, i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga Gerti Farruku.
Menaxheri i firmës, Gerti, dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë borxhet që ka patur në loto.
Nga ana e grupit hetimor po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale "Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën" në ngarkim të Farrukut dhe "Organizimi i lotarive të palejuara" në ngarkim të shtetasit Arsid Haxhisë. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





