Transmetuar më 06-06-2021, 13:28

Duke analizuar lidhjen midis marrjes së frutave, tolerancës së glukozës, ndjeshmërisë ndaj insulinës dhe zhvillimit të diabetit, një ekip hulumtuesish australianë të udhëhequr nga shkencëtarë të Universiteti Edith Cowan (ECU), kanë treguar se konsumimi i dy porcioneve të frutave në ditë ul rrezikun me 36%, për të zhvilluar diabetin e tipit 2.

Diabeti i tipit 2 është një lloj i diabetit në të cilin shfaqet një rezistencë ndaj insulinës dje rritjes së sheqerit në gjak.

Çdo mjek, nutricionist dhe shkencëtar që merret me të ushqyerit, nënvizon se fruti i plotë është i mirë për shëndetin, falë vitaminave, mineraleve dhe substancave të tjera të dobishme të përfshira në këto produkte të natyrës.

Nuk është rastësi që të gjithë e dimë fjalën e famshme të një molle në ditë e cila "mban larg mjekun".

Një studim i ri australian tregon se konsumimi i frutave në kontekstin e një diete të shëndetshme dhe të ekuilibruar është gjëja më e mirë për shëndetin.

Sipas rezultateve, dy porcione frutash në ditë janë në gjendje të zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2, të ashtuquajturës sëmundje "gjaku i ëmbël", me 36 përqind.

Këto këshilla vijnë pasi diabeti kohët e fundit po konsiderohet si një urgjencë e vërtetë globale shëndetësore: Janë rreth 450 milionë njerëz të prekur në të gjithë botën dhe 374 milionë të tjerë në rrezik të zhvillimit të tij.

Për më tepër, diabeti tipi 2 shoqërohet me me sëmundje të shumëfishta dhe përfaqëson një nga bashkë-sëmundjet kryesore që katalizon rrezikun e vdekshmërisë nga COVID-19, infeksioni i shkaktuar nga koronavirusi SARS-CoV-2.

Në rezultatet e studimit të publikuar spikat e dhëna se ndër disa mijëra njerëz të moshave dhe gjinive të ndryshme që u vëzhguan, pjesëmarrësit me konsum të moderuar të frutave (dy porcione në ditë) kishin 36 për qind më pak të ngjarë të preken nga diabeti 5 vjet më vonë sesa grupi që konsumoi më pak fruta.

Por pse frutat mund të jenë kaq të shëndetshme në parandalimin e diabetit të tipit 2? Siç tregohet nga shkencëtarët australianë, frutat "përveçse janë të pasura me vitamina dhe minerale, janë një burim i shkëlqyeshëm i kimikateve fitokimike që mund të rrisin ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe fibrave që nxisin rregullimin e lirimit të sheqerit në gjak, duke ndihmuar gjithashtu njerëzit që të ndjehen më të ngopur dhe më të gjallë. /n.k/noa.al/