Kryetarja e Bashkisë Shkodër, thirrje Ramës: Mos prish ndërtimet në bregdet tani që nisi sezoni turistik
Transmetuar më 05-06-2021, 18:08

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka folur sot për aksionin e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për shembjen e ndërtimeve pa leje në gjithë zonën bregdetare.

Në reagimin e saj, Ademi është shprehur se, duhet mbështetur sezoni turistik, dhe se sipas saj, nuk duhet të merren vendime arbitrare.

Këto zhvillime vijnë ndërsa sot është hapur zyrtarisht sezoni veror në plazhin e Velipojës, që është më i preferuari nga shkodranët, veriorët e më tej.

Ademi tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një sezon turistik të suksesshëm, duke shpresuar që masat e autoriteteve shtetërore për pandeminë, të shkojnë duke u lehtësuar.

Kurse u ndal te plani "Rama" për prishjen e ndërtimeve në bregdet: "Duhet mbështetur sezoni i mbarë turistik. Mos ketë vendime arbitrare për sezonin turistik. Mos ketë ndërhyrje që prishin imazhin apo dëmtojnë sezonin turistik. S’duhet bërë asgjë që prish imazhin e sezonit. Në Velipojë nuk rezulton një situatë përkeqësuar për ndërtimet. S’kemi ndërtime pa leje në bregdetin e Velipojës, janë vetëm struktura të lehta që shërbejnë për stacionet e plazhit", tha Ademi.

Ajo më pas tha se duhet të ketë një mirëkuptim për të mos bërë gabime që dëmtojnë ekonominë shqiptare. /noa.al