Transmetuar më 05-06-2021, 10:33

Sulm i ri nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian të cilët i akuzon se kanë abuzuar me mosmbajtjen e premtimeve dhe kanë krijuar përçarje mes popujve të Ballkanit.

Kritikat e ashpra të Ramës, për faktin se BE po zvarrit pafund çeljen e negociatave për anëtarësim, u bënë në një shkrim- letër të hapur që ai i dërgoi gazetës së përditshme gjermane "Bild".

Në shkrim, Rama ngre gishtin e akuzës ndaj krerëve të shteteve të Bashkimit Evropian për bllokimin e pranimit të vendit të tij dhe Maqedonisë së Veriut në BE, për “arsye të populizmit”.

BE i ka “thyer premtimet” thekson Rama dhe “po çon në një përçarje mes popujve të Ballkanit me “cinizëm politik”.

Kurse pohon se ndjehet si në dramën “Duke pritur Godonë”, ku “vetëm flitet, por asgjë nuk ndodh!”.

Pjesë nga shkrimi i Ramës për Bild:

“Nëse Bashkimi Evropian me të vërtetë nuk dëshiron ta afrojë Ballkanin Perëndimor në Bruksel, atëherë të paktën duhet të jetë i përgatitur të tregojë historinë e vërtetë se pse rruga e negociatave është bllokuar kudo.

Kjo temë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë të vogël – si një motiv përmes të cilit jeta imiton artin. Ndihem sikur po jetoj në dramën e Samuel Beckett “Duke pritur Godonë”: ka shumë fjalë, por asgjë nuk ndodh në fund fare.

Dhe si personazhet kryesore të Beckett, duke pasur parasysh këtë absurd të vërtetë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të ecim përpara.

Sepse Evropa është feja jonë. Dhe asgjë nuk do të ndryshojë sepse kjo është rruga e fatit tonë”.