Transmetuar më 04-06-2021, 17:38

Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me ngjarjet e fundit kriminale në vend, të cilat kanë prodhuar jo pak viktima.

Kreu i shtetit përcjell me shqetësim faktin që ngjarje të tilla po ndodhin edhe pranë institucioneve të sigurisë së lartë, apo ambienteve publike.

Thotë se kjo situatë tregon paaftësinë e Policisë së Shtetit për t’i parandaluar.

“Ngjarjet shumë të rënda kriminale, me pasojë dhjetëra humbje jetësh dhe dëmtimin e shëndetit dhe të pronës së qytetarëve, që po ndodhin në mes të ditës, në ambientet publike, në zemër të qendrave urbane, deri edhe pranë institucioneve të larta të sigurisë, janë thellësisht tronditëse dhe një dëshmi e qartë jo vetëm e revanshit të krimit, por edhe e paaftësisë së Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, për parandalimin e tyre”, shkruan Meta në Facebook.

Thirrja shkon pikërisht për Policinë e Shtetit që të përmbushë detyrat e saj.

“Në këtë situatë kaq shqetësuese, që ka krijuar një pasiguri të madhe publike, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, që në veçanti, ka për mision dhe përgjegjësi thelbësore ruajtjen e rendit dhe të sigurisë, garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve, që të shkundet nga apatia dhe të përmbushë me rigorozitet të gjitha detyrimet e saj ligjore, duke luftuar krimin në çdo qelizë të shoqërisë dhe larguar prej saj çdo nëpunës të korruptuar dhe të lidhur me “botën e errët”, vijon Meta.

Sipas tij, për këto ngjarje autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë, dhe të ketë bashkëpunim të ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe SHISH-it.

“Është tepër e domosdoshme, që të tilla vepra të rënda penale të parandalohen në kohë, të zbulohen, të hetohen dhe autorët e tyre të marrin ndëshkimin e merituar ligjor!

Ndaj ju bëj thirrje të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, në veçanti Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të vendosin një bashkëpunim më të gjerë, më dinamik dhe efiçient mes tyre”, përfundon Meta. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd