



Pretencë për vrasje policore dhe në SHBA, kërkohen 30 vjet burg. Ndërsa në Shqipëri, dy herë më pak për të njëjtin krim, vrasje nga policia
Në të njëjtën ditë kur në Shqipëri, prokuroria kërkoi 13 vjet burgim për Nevaldo Hajdarajn i akuzuar se vrau me plumb pas shpine një djalë të ri se shkeli orën policore, edhe në SHBA u dha pretenca për policin që akuzohet se vrau një qytetar në rrugë.
Ndërsa prokurorët shqiptarë kërkuan të enjten 20 vjet burgim që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon 13 vjet, prokurorët amerikanë çmuan se vrasësi i George Floyd duhet të dënohet me 30 vjet burgim.
Ish-oficeri i policisë, Derek Chauvin, në muajin prill, u shpall fajtor për vrasjen. Kohëzgjatja e dënimit pritet të shpallet nga gjykata më 25 qershor.
Në pretencën e saj, prokuroria tha se vrasja kishte "tronditur ndërgjegjen e kombit".
Floyd, 46-vjeçar, afrikano-amerikan, u vra nga zyrtari i bardhë policor, i cili i ushtroi presion me gju në qafë për më shumë se nëntë minuta gjatë procedurës së arrestimit. Ngjarja ndodhi në muajin maj të vitit 2020.
Vdekja e tij ka nxitur protesta kundër racizmit dhe dhunës policore në një mori qytetesh në Shtetet e Bashkuara dhe më larg, si dhe ka shtyrë përpara përpjekjet për reforma policore në nivel kombëtar.
Ndërsa në Tiranë, prokuroria çmoi se Nevaldo Hajdaraj duhet të dënohet dy herë më pakmse Floyd. Pretenca erdhi pak orë para se në media të dilte video që tregon momentet si Nevaldo e ndjek dhe e qëllon me plumb pas shpine të riun Klodian Rasha duke i marrë jetën. Kjo video ishte që në orët e para pas krimit në duart e Policisë dhe hetuesve por nuk ishte bërë publike deri sot.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





