NOA ANALIZË/ Krimi këmbëkryq në Shqipëri, a duhet të mbajë përgjegjësi kupola policore?
Transmetuar më 03-06-2021, 21:06

Vetëm 24 orët e fundit, dy persona u vranë dje një i tretë po lufton me vdekjen pasi u ekzekutuan në dy ngjarje të njëkohshme në Vlorë dhe Lushnjë.

Në qytetin jugor bregdetar, ishte një atentat mafioz, kryer në mes të qytetit dhe nisur që në rrugët kryesore për të përfunduar në rrugë interurbane. Viktima Shkëlzen Velaj, 35 vjeç, u ndoq mespërmes qytetit nga një makinë pak para mesnate ndërsa është në fuqi shtetrrethimi. Ndjekja vazhdoi deri në banesë dhe autori e ndoqi deri në katin e pestë të pallatit duke e vrarë me breshëri kallashnikovi.

Më pas autori dhe ndihmësit e mundshëm të tij, u larguan me një makinë duke i vënë flakën asaj në një rrugë interurbane në Risili, jo larg Vlorës.

Në të gjithë këtë dinamikë, policia ishte inekzistente.

Në Lushnjë, pak para mesnate, ndërsa ora policore ishte në fuqi, një burrë del nga lokali, hatërmbetur me pronarët, shkon në shtëpi, del që aty me automatik Kallashnikov në dorë, lëviz lirshëm deri te lokali, rikthehet aty dhe hap zjarr duke vrarë pronarin dhe plagosur rëndë të birin. Më pas merr armën dhe ikën më këmbë në shtëpi, ku pa rezistencë, priti policinë për t’i vënë prangat.

Ngjarje si këto janë dhe shumë të tjera që kanë ndodhur këtë vit. Vetëm në Vlorë janë 6 atentate tipike mafioze që kanë tronditur banorët. Ata ndjehen të frikësuar dhe pohojnë se mënyra si po bëhen këto vrasje, në mes të rrugëve dhe në çdo orë të ditës e natës, i ka bërë të mos ndjejnë siguri askund dhe në asnjë moment.

Banorët thonë se shtetin e ndjejnë shumë larg dhe policia nuk është asnjëherë aty kur ndodhin krime dhe pasojat e saj janë në zhvillim. Ndërsa me dozë ironie dhe dhimbjeje pohojnë se policët i gjen gjithnjë aty nëse kanë parkuar keq apo tejkalojnë shpejtësinë.

Harta e kriminalitetit për fat të keq nuk është e lokalizuar vetëm në qarqet Fier e Vlorë, por me aktivitet shqetësues edhe në Tiranë, Elbasan, Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Në këtë pikë lind pyetja: A duhet të japin dorëheqjen drejtorët e Policisë në qarqet përkatëse, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe ministri i Brendshëm?

Është e qartë se institucioni i dorëheqjes në Shqipëri është ndër më të urryerit nga pushtetarët, por teksa krimi është sofistikuar kaq shumë, duke qenë kaq hapa para dhe duke guxuar të gëlojë kudo pa u trembur se mund të përfundojnë në burg, shtrohet pyetja: A nuk duhet të përmirësohen dhe institucionet që duhet të ruajnë rendin në vend? /noa.al

Në foto: Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi duke luajtur futboll