Transmetuar më 03-06-2021, 11:38

Aktivistët që kundërshtuan shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, deklaruan sot se ligji special si një shembull tejet i rrezikshëm për keqpërdorimin dhe tjetërsimin sot e në vijim të pronës së të gjithëve, ishte për ne një kambanë e fortë alarmi për çfarë e pret vendin tonë.

Në këto kushte ata po mbështesin Presidencën e cila ka paditur qeverinë dhe bashkinë në Gjykatën Kushtetuese. Aktivistët thanë se kërkesa drejtuar Anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë vjen në mbështetje të plotë për dy paditë e Presidentit të Republikës për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Aktivistët ashtu si Presidenca kërkojnë shpalljen si jokushtetues të ligjit special dhe të VKM-së, dënim të fajtorëve për shembjen e teatrit dhe rindërtim të Teatrit Kombëtar aty ku ishte siç ishte.

Për aktivistët kjo e sotmja është një ditë kur Gjykata Kushtetuese mund dhe duhet të tregojë që drejtësia dhe shteti ligjor në Shqipëri do të rimëkëmben.

"Thirrja jonë për anëtarët e trupës gjykuese të Gjykatës Kushtetuese është që më 3 Qershor 2021 të gjykojnë bazuar në kushtetutën e vendit dhe në etikën profesionale dhe jo të ndikuar nga presionet e kastës në pushtet dhe botës së errët që qëndron pas saj".

"Ky është 3 Qershori 2021 për ne qytetarët shqiptarë, të cilët për tashmë 3 vjet e katër muaj ndjekim zhvillimet dhe qëndrojmë për të mirën e çështjes së Teatrit Kombëtar.

E nisur nga një grup i madh artistësh të skenës dhe ekranit më 8 Shkurt 2018 dhe më pas zgjeruar dhe konsoliduar me pjesëmarrjen e qytetarëve, intelektualëve, profesionistëve nga fusha të ndryshme të jetës, qëndresa për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë ka evoluar dhe është transformuar në një qëndresë të madhe qytetare, që del përtej kufijve të grupimeve që lobojnë në emër të saj, që kapërcen kufijtë e Shqipërisë dhe të Europës.

Me qindra dokumente janë shkruar e prezantuar në emër të kësaj çështjeje, të llojit politik, organizativ, profesional, artistik e ligjor. Me qindra emaile janë dërguar në institucione dhe media vendase dhe të huaja. Me qindra artikuj janë shkruar kudo në botë për të sensibilizuar opinionin për sa ka ndodhur në Tiranë dhe opinioni është sensibilizuar", thanë organizatorët e shqyrtimit gjyqësor, raporton noa.al që ju sjell dhe fotot në galeri përmes abonimit në LSA.

"Kundërshtimet tona ndaj ligjit special nisën që në çastin kur ai u shfaq më së pari në publik. Paligjshmërinë e tij e kemi adresuar në shkrime publike, në të folur publike në sheshin e Teatrit dhe në media. Lidhur me të kemi kontaktuar Komisionin Europian, i cili për pasojë i dërgoi qeverisë shqiptare 15 pyetje, të cilat morën përgjigje të dobët dhe krejtësisht të pamjaftueshme", vijon deklarata.

"Ishim në teatër kur Europa Nostra, si një organizëm i krijuar dhe mbështetur nga institucione të Bashkimit Europian, pranoi aplikimin tonë dhe e caktoi Teatrin Kombëtar në listën saj për vitin 2020 të vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë.

Ishim në teatër kur qeveria më 8 Maj 2020 vendosi që me VKM që po ashtu shkel kushtetutën, t’ia kalonte pronën kombëtare bashkisë Tiranë.

Ishim në teatër kur bashkia dërgoi policët e saj për të bërë provën e parë të forcës mbi ne dhe mbi Teatrin.

Ishim në teatër kur Presidenti i Republikës dha mbështetjen e dytë më të madhe institucionale kur solli padinë e dytë në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që Këshilli Bashkiak në një mbledhje të padokumentuar vendosi për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Ishim në teatër kur nga kudo, drejt pushtetit që me ligjin special dhe VKM-në për transferimin e pronës ka shkelur kryekëput kushtetutën dhe shtetin ligjor në Shqipëri, erdhën thirrje për ta ndalur dorën.

Dhe, ishim në teatër kur pavarësisht gjithçkaje, pushteti dhe veglat e tij të mishëruar në trupat e keqpërdorur të 1000 e më shumë policëve, punonjësve të bashkisë dhe fadromës shkatërruese, nuk e ndalën dorën.

Ne ishim në teatër dhe në sheshin e tij kur kushtetuta dhe shteti ligjor u vranë në orët e para të mëngjesit të 17 Majit 2020. E dokumentuam këtë vrasje, i dhamë asaj zë dhe figurë, e denoncuam atë në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar, tek politikanë, media dhe organizata të shoqërisë civile", thuhet në qëndrimin e mbajtur. /noa.al