Transmetuar më 21-05-2021, 14:54

Pronarët e një kompanie të huaj që merret me tregtinë e artikujve ushqimorë në Shqipëri, janë arrestuar sot nga policia e Tiranës me akuzën e falsifikimit të produkteve dhe datave të tyre të skadencës, raporton noa.al.

Policia tha se ka finalizuar pas një hetimi disajavor, operacionin e koduar “Skadenca”, zhvilluar nga Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit dhe Hetimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Noa.al konfirmoi se u vunë në pranga shtetasit e huaj: Yousef Rahman, 57 vjeç dhe Azizur Rahman, 28 vjeç, që të dy lindur në Jordani dhe banues në Tiranë.

Këta shtetas kishin hapur në një magazinë të marrë me qira, një subjekt me anë të të cilit tregtonin në sasi të mëdha produkte të ndryshme konsumi, të cilat kishin tejkaluar afatin e skadencës, tha policia.

Sipas saj, "këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi iu fshinin datat e skadencave produkteve të skaduara, duke përdorur lëndë kimike, iu vendosnin atyre data të reja skadence, për të shtyrë afatin e përdorimit deri në dy vjet".

Noa.al konfirmon se janë gjetur dhe sekuestruar afro 7 tonë produkte, kryesisht për fëmijë, lëngje dhe ushqime të ndryshme. Mes tyre në mjediset e kompanisë Aziz Company Limited në Kashar pranë Tiranës, u gjetën pije të ndryshme për fëmikë, markat Robo, Drino, etj. Po ashtu edhe produkte të tjera për fëmijë si çamçakëz të markave inferiore, lëpirëse lollypop, etj.

Në raportin hetimor që mbështetet në të dhënat e AKU, thuhet se të gjitha produktet janë importuar nga Bangladeshi. Sipas të njëjtave burime këto produkte tregoheshin në markete si te rruga e Kavajës, pranë Ring Center, te Myslym Shyri, pranë Pragës në Tiranë, etj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe një vulë që përdorej për falsifikimin e datave të skadencës, 3 shishe me lëndë kimike të cilat përdoreshin për fshirjen e datave të prodhimit dhe skadencës, si dhe produkte të ndryshme të skaduara dhe me datë prodhimi të falsifikuar.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrim me produktet ushqimore” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe i formularëve”. /noa.al