Transmetuar më 13-05-2021, 07:22

Një incident i rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet, ku gjatë ceremonisë së faljes së namazit me rastin e Fiter Bajramit, një person tentoi të vetëdigjej me benzinë.

Ishin qytetarët që e ndaluan personin fjalë dhe e mbajtën në sheshin "Skënderbej", derisa erdhën punonjësit e policisë, të cilët e shoqëruan në komisariat, për ta marrë në pyetje në lidhje me veprimin e tij.

Sipas raportimeve, personi hyri në shesh dhe bërtiti “Nuk ka Zot”, në një orvatje të dëshpëruar për t’ia vënë flakën vetes.

Gjithçka ndodhi në momentin kur sheshi po boshatisej. 40 vjeçari tentoi t’i vërë flakën vetes me benzinë, duke mbajtur një libër Kur’an-i në duar, por është parandaluar nga besimtarët. Më pas ai është ndaluar nga forcat e policisë.

“Kam 20 vjet që luftoj në këtë jetë, sa andej sa këndej. S’ka Zot, s’ka Zot, s’ka Zot!”. Kështu është shprehur 40-vjeçari gjatë shoqërimit nga policia.

Ndërkohë, për rastin ekstrem reagoi edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Një nga zyrtarët e KMSH deklaroi se personi që kreu këtë veprim nuk mund të jetë besimtar, pasi “një besimtar nuk do të tentonte të bënte këto veprime”. /S.H /NOA.al