Transmetuar më 12-05-2021, 22:47

Për të zbardhur dinamikën e vrasjes së 41-vjeçarit Everest Çaka u shoqëruan në policinë e Elbasanit 25 persona, të cilët u morën në pyetje përgjatë 24 orëve të fundit dhe mbrëmjen e të mërkurës janë lënë të lirë.

Nga dëshmitë dhe verifikimet e kryera, ka dyshime se autorët mund të jenë vrasës me pagesë.

Hetimet paraprakisht janë përqendruar në disa pista, ku më kryesoret mbeten ajo e vrasjes për shkak të përplasjes së grupeve kriminale për prishjen e pazareve të drogës, ajo e hakmarrjes, por nuk përjashtohet edhe ndonjë konflikt i ashpër që mund të ketë pasur viktima kohët e fundit.

Ndërkaq, një fakt mjaft i rëndësishëm është qarkullimi i një motori mjaft të fuqishëm me katër rrota, prodhim i fundit, mbi të cilin ndodheshin dy të rinj me trup muskuloz që mbanin skafandra.

Qarkullimi i këtij motori me shpejtësi të madhe para dhe pas ekzekutimit të 41-vjeçarit ka tërhequr vëmendjen e banorëve të familjeve që jetojnë përgjatë “Rrugës Mbretërore”, ku në orën 20:10 të së martës u krye vrasja e 41-vjeçarit Everest Çaka, si dhe mbeti e plagosur bashkëshortja e tij, Silvana Çaka.

Njëkohësisht, nga dëshmitë e siguruara nga hetuesit e këtij krimi hidhen dyshime se autorët e vrasjes kanë pasur në disa kryqëzime informatorë për sigurimin e informacioneve të sakta të lëvizjeve të objektivit të përcaktuar për t’u ekzekutuar.

Ndërkaq, nga dëshmitë e shumta që përputhen janë ngritur dyshime se automjeti i gjendur i djegur në një fshat të Kavajës, pak orë pas vrasjes, nuk është ai në të cilin ndodheshin autorët e krimit.

Ky është rrengu i radhës i përdorur nga vrasësit e përfshirë në ekzekutimin e Everest Çakës, pas provokimit të aksidentit të bërë ndaj automjetit, ku ndodheshin çifti i bashkëshortëve Everest dhe Silvana Çaka.

Dëshmitë e siguruara janë vërtetuar edhe me pamjet filmike të siguruara nga prokuroria dhe pritet që të hedhin dritë për identifikimin e autorëve të ekzekutimit të Everest Çakës.

Sakaq, nga mbrëmë në media ka qarkulluar një informacion se mes personave që mund të kenë folur për autoritetet belge për të hedhur dritë mund të ishte edhe Everes Ibrahim Çaka, çka u tha se mund ti kishte kushtuar shtrenjtë.

Por nëpërmjet një reagimi zyrtar prokuroria e Elbasanit tha se viktima nuk është marrë në pyetje nga autoritetet belge gjatë kohës së kryerjes së veprimeve të tyre në Prokurorinë Elbasan.

“Prokuroria prane Gjykates se Shkalles se Pare Elbasan, ne bashkepunim me autoritetet partnere, njofton se viktima e dates 11.05.2021, Everest (alias Ibrahim) Caka nuk është marrë në pyetje nga autoritetet belge gjatë kohes së kryerjes së veprimeve të tyre në Prokurorine Elbasan,” deklaroi Prokuroria.