DPSHTRR njoftim të rëndësishëm për kontrollin teknik të automjeteve
Transmetuar më 12-05-2021, 14:18

Pas disa muajsh pezullim të shërbimit, brenda majit pritet të rifillojë kolaudimi i automjeteve.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor thotë se kolaudimi do rifillojë fillimisht për 150 mijë mjete që nuk janë përfitues të ndryshimeve ligjore.

Për të shmangur radhët në subjektet e kontrollit teknik është përcaktuar një kategori automjetesh që e kanë emergjencë futjen në lupën e kontrollit teknik.

“Shërbimi do nisë së pari me mjetet që janë refuzuar në kolaudim vjet, pra ata pa certifikata të vlefshme dhe që s’kanë përfituar as shtyrje as zgjatje afati. Pastaj kemi mjetet e regjistruara pas 31.12.2020 që do i nënshtrohen kolaudimit për herë të parë, mjetet taksi, autoshkollat, mjetet e transportit të udhëtarëve dhe ambulancat, të cilat kanë kaluar 12 mujorin, 6+6, pra kane kapur afatet e normave të reja të Kodit të ndryshuar. Janë rreth 150 mije mjete si kategoritë me sipër që do paraqiten me njoftim dhe programim”, thuhet në njoftim.

Faza e dytë e kolaudimit do të përfshijë mjetet që përfitojnë nga ndryshimet e Kodit Rrugor të cilat do të njoftohen hap pas hapi nga drejtoria e shërbimit të transportit rrugor dhe në e-Albania. Ata të cilëve iu skadon tani certifikata e kontrollit teknik të mjeteve nuk kanë përse të shqetësohen pasi sipas drejtorisë së shërbimit të transportit rrugor me ndryshimet e bëra në kodin rrugor, vlefshmëria e kontrollit të kryer vitin e shkuar, shtyhet edhe me një vit tjetër.

“Në fazën e dytë janë mjetet përfituese të rregullave të reja, të cilat do njoftohen në sistem/e-albania ose web për skadencën e tyre. Për shembull mjetet që kolaudimi iu skadon në 1 qershor 2021 nuk do vijnë, do vijnë në 1 Qershor 2022. Për këtë do të njoftohen organet e policisë ndërkohë që del edhe udhëzimi i ri përkatës”sqarohet më tej në njoftimin e DPSHTRR.

Këto janë skenarët e parashikuar nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor pas miratimit nga presidenti të ndryshimeve në Kodin Rrugor. Mosdekretimi nga Kreu i Shtetit është skenari tjetër i cili zgjat edhe më shumë në kohë procesin duke çuar ligjin edhe njëherë për rishqyrtim. Afërsisht 1/3 e automjeteve në Shqipëri sot qarkullojnë vetëm me vulën e pagesës së taksës së qarkullimit dhe pa formularin e kolaudimit./K.B/NOA.al