Dita e Europës, Meta: Koha që shqiptarët të çlirohen nga regjime hibride
Transmetuar më 09-05-2021, 09:50

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh me rastin e 9 majit, Ditës së Europës.

Kreu i shtetit nënvizon se vendi ynë vjen nga një e kaluar e hidhur, sikundër ishte periudha e sistemit diktatorial.

Megjithatë shprehet se në këto vite tranzicioni ka ekzistuar mundësia për të realizuar ëndrën e studentëve të dhjetorit 1990 për ta integruar Shqipërinë në BE.

Dhe kjo, sipas kreut të shtetit, do të ndodhë kur partitë politike të reflektojnë në disa drejtime.

“Në të gjithë këto vite tranzicioni kemi patur mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ta realizuar aspiratën e Studentëve të Dhjetorit ’90 "E duam Shqipërinë, si gjithë Europa", por për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa.

Kjo do të ndodhë kur të gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t’i dhënë forcë zërit të rinisë, duke iu garantuar mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane në Atdheun e tyre, për të ndalur njëherë e përgjithmonë atë që me të drejtë Papa Françesku e ka cilësuar si "dimri demografik", dramën më të madhe të vendit”, shkruan Meta në Facebook.

Në mbyllje, Presidenti shkruan se “është koha të ndihmojmë qytetarët tanë dhe Shqipërinë të çlirohet nga çdo formë e regjimeve hibride, për të ecur më shpejt, pa pengesa artificiale, drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian”. /k.k/noa.al/