Ministria e Turizmit konfirmon mbajtjen e UNUM Festival 2021
Transmetuar më 08-05-2021, 22:00

Lajmi i kryeministrit shqiptar Edi Rama se brenda 24 orëve nuk ka pasur asnjë të shtruar në spitale nga COVID-19 shënon edhe zyrtarizimin e mbajtjes së edicionit të dytë të UNUM Festival.

Në Shëngjin, sot është mbajtur konferenca zyrtare e festivalit.

Nga data 3 deri më 7 qershor në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, UNUM Festival pritet të sjellë turistë nga mbarë bota.

Ministri shqiptar i Turizmit, Blendi Klosi konfirmoi se mbajtja e festivalit do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ne dhe kryeministri e kemi thënë se duam të jemi kampion të turizmit në Ballkan dhe për të qenë kampion duhet të kemi aktivitete si UNUM-i, i cili vjen kësaj radhe me DOKUFEST-in”, ka thënë ai.

Organizatorët e festivalit kanë konfirmuar se deri më tani janë shitur deri në 80 për qind të biletave.

Zëdhënësi i festivalit, Ardin Badiviku ka treguar se testet e shpejta do të bëhen për të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar apo nuk kanë një test valid brenda 72 orëve.

ONE Telecommunications do të jetë mbështetësi kryesor i UNUM Festival këtë vit. Manaxherja e Marrëdhënieve të Korporatës, Ornela Bego u shpreh se “ONE dëshiron të sjellë entuziazmin dhe festën e munguar prej kaq shumë kohësh në publik. Përmes UNUM Festival, i bashkohemi jo vetëm festës por edhe promovimit të Shqipërisë, që tashmë e mbështesim edhe me rrjetin tonë që mbulon 98.1% të popullsisë”.

I pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, shprehu mbështetjen e plotë për organizatorët e festivalit duke e vlerësuar UNUM-in si një ndër ngjarjet më të rëndësishme për turizmin shqiptar.

Gjatë 5 ditëve të festivalit tanimë janë të konfirmuar mbi 75 artistë ndërkombëtar e rajonal, ndër DJ-të më të mëdhenj të muzikës elektronike në botë.

Konferencës i parapriu edhe pastrimi i plazhit të Shëngjinit.

Më shumë informacion ju mund të gjeni këtu.