Një kusht i besimit islam është dhënia e zekatit. Vlera e përllogaritur monetare (nisabi) mbi të cilën lind detyrimi për të dhënë zekatin e këtij viti (2021) është 450.000 lekë (të reja) ose rreth 3650 euro.
Zekati është detyrim për personin në moshë madhore, mendërisht të shëndoshë, të lirë, të mos kenë borxhe dhe përveç përballimit të nevojave të tij dhe të familjes të zotërojë pasuri në vlerën e nisabit mbi të cilin të kalojë një vit pa e prekur.
Sasia e nisabit është kusht si për pasurinë ashtu dhe për prodhimin. Edhe pse ari dhe argjendi nuk shtohen, zekati jepet kur arrin vlerën e nisabit.
Nisabi: është një masë e caktuar nga feja për detyrimin e zekatit. Kjo masë është 85 gr ar, 595 gr argjend ose pasuri, mallra tregtie, para në vlerën e tyre.
Përsa i përket zekatit të kursimeve të parave, ajo është 2.5 % e vleftës totale të paprekur për periudhën njëvjeçare.
Për shembull nëse gjatë vitit 2020 një person ka arritur të kursejë 1 milion lekë të reja pra mbi 2 herë më shumë nga vlera fillestare e detyrueshme për të dhënë zekat që është 450 mijë lekë, atëherë duhet të japë sivjet 2.5 për qind të 1 milionëshit ose 25 mijë lekë të reja.
Kjo shumë duhet dhënë zekat, nëse ju nuk keni borxh për të shlyer. Zekati jepet vetëm mbi tepricë të ardhurash që krijon një person, tepricë që është kursim i lënë mënjanë në formë pasurie.
Zekati i kafshëve ndryshon nga lloji i tyre. Tek të imtat është një në dyzet; tek devetë një në pesë; tek të trashat (lopë) një në tridhjetë.
Edhe për mineralet jepet zekat.
MALLRAT QË MUND TË JEPEN ZEKAT 1.Tek mallrat e tregtisë hyn çdo lloj malli si veshmbathje, ushqimet, bagëtitë, shtëpitë, tokat dhe për të gjitha duhet të jepet zekat. Bagëtitë që mbahen për qëllime tregtie hyjnë brenda mallrave të tregtisë dhe për to jepet zekat në masën 2.5 %.
Zekati i mallrave të tregtisë llogaritet 2.5 % e gjithë vlerës së mallit që zotëron personi. Ky zekat mund të jepet në para ose në vlera të tjera.
2.Zekati i bagëtive Bagëtitë i ndajmë në grupe dhe ndarja e zekatit bëhet sipas grupeve të caktuara në vlerën e caktuar.
3.Pasuri e çmuar dhe monetare Stolitë të cilat përdoren për qëllime tregtie kanë nisabin e përcaktuar, në ar 85 gram ndërsa në argjend 595 gram. Secili person që zotëron këtë sasi të caktuar duhet të japë zekat 2.5 % të mallit. Edhe ata që kanë bono apo letra me vlerë, zekatin e japin duke llogaritur 1/40 e vlerës së mallit që kanë.
4.Pasuritë e patundshme Përsa i përket personave që kanë shtëpi me qera, diskutohet nëse duhet dhënë zekat mbi vlerën e qerasë apo mbi vlerën e pasurisë. Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit të jepet mbi vlerat personale. Disa dijetarë e përngjasojnë vlerën e qirave me sasinë e mallrave bujqësorë dhe mendojnë se duhet të jepet 1/10 ose 1/20 e vlerës së qirasë. Ndërsa të tjerë mbështesin mendimin e dhënies 1/40 e vlerës së pasurisë së patundshme.
5.Mineralet Sasia e nisabit për minerale si ari, argjendi, mermeri, smeralde, rubinë, naftë apo gaz natyror është 1/5 ose 20 % e mallit që zotëron personi.
6.Prodhimet bujqësore Tek prodhimet bujqësore kemi dy lloj ndarjesh: nëse tek toka ku mbillet bëhen shpenzime si ujitja, përdorimi i ilaçeve apo ndonjë lloj shpenzimi tjetër, atëherë zekati është 1/20, ndërsa nëse marrim prodhime pa pasur asnjë shpenzim, është 1/10.
ZEKATI, Lëmosha Pastruese Bamirësia shprehet në Islam në forma të ndryshme. Ndërsa sadakaja (bamirësia) është një akt vullnetar, zekati është një detyrim për çdo musliman i cili zotëron një nivel të caktuar pasurie.
Fjala zekat rrjedh nga fjala tezekka që do të thotë “të pastrosh diçka”. Prandaj zekati nënkupton mbajtjen e pasurisë të pastër dhe të shenjtë duke u dhënë 2.5 përqind të saj, të varfërve. Rrjedhimisht ky akt e bën besimtarin dhe pasurinë e tij të qëndrojë përherë në nivele pastërtie dhe sinqeriteti (Tevbe 9:103). Zekati është një shtyllë shumë e rëndësishme e praktikës Islame dhe kjo vërtetohet nga barazimi që i bëhet asaj me namazin, gjithsej 82 herë në Kur’an.
Allahu ka premtuar se pasuria nuk do të pakësohet kurrë për shkak të dhënies së lëmoshës. Thuaj: “S’ka dyshim se Zoti im është Ai që i jep furnizim të begatshëm atij që do nga robërit e vet dhe Ai ia pakëson atij, e çka do që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është dhuruesi më i madh. (Sebe 34:39)
Si mund të jepet Zekati?
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, për qytetarët të cilët kanë obligim dhënien e zekatit, thotë se mund ta adresojnë atë pranë zyrave ose në numrat a llogarive të KMSH që i gjeni duke hyrë këtu.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thotë se është organi zyrtar i përfaqësimit të myslimanëve në Shqipëri, dhe si i tillë, mbledh dhe shpërndan me përgjegjësi të plotë amanetin e besimtarëve dhe çdo qytetari.
Zekati përbën një formë të detyrueshme bamirësie të marrë nga kursimet e një personi. Ai nuk është një taksë mbi të ardhurat, por një taksë mbi kursimet. Përfituesit më të mëdhenj të tij janë punëtorët e varfër të cilët nuk mund t’i plotësojnë të gjitha nevojat e tyre pa njëfarë ndihme shtesë, si dhe të mjerët të cilët nuk janë në gjendje të sigurojnë as edhe mjetet bazë të jetesës. Ai përdoret gjithashtu për të paguar borxhet e atyre të cilët nuk kanë mundësi t’i paguajnë vetë, si dhe është përdorur për lirimin e skllevërve dhe të robërve të luftës.
Zekati është gjithashtu një virtyt i rëndësishëm i muslimanëve, siç përshkruhet edhe në ajetin e mëposhtëm kuranor: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Të tillët do ti mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i urtë.” (Tevbe 9:71)
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd