Ushqimet ideale para dhe pas vaksinës së koronavirusit. Flasin 2 mjekë ekspertë
Transmetuar më 06-05-2021, 12:48

Ne duhet t’i japim sistemit tonë imunitar mundësinë për të reaguar më mirë duke u siguruar që të imunizohemi më shpejt

Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), ka njoftuar se efektet anësore të vaksinës mund të përfshijnë dhimbje, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit dhe ethe të mundshme, e po ashtu, dhimbje koke, lodhje, të përziera, të dridhura dhe dhimbje të muskujve.

Këto simptoma në të vërtetë janë një shenjë e mirë që trupi ynë po ndërton imunitet. Brenda pak ditësh ato do të dobësohen dhe më pas do të zhduken plotësisht.

Një mënyrë për të zvogëluar këto efekte anësore është që të ushqeheni mirë. Ndaj noa.al në këtë raport special ju sjell informacionin e CDC që publikoi edhe e përditshmja amerikane The New York Times.

Ushqime dhe lëngje për të trajtuar efektet anësore të vaksinës, niseni me çaj xhenxhefili për të përzier

Çaji i xhenxhefilit është ideal kur kemi probleme gastrointestinale. Grini imët xhenxhefilin pasi ta keni qëruar. Për një filxhan duhet një fetë rreth 2.5 cm.

Së pari zieni xhenxhefilin me ujë në nxehtësi të lartë dhe më pas lëreni të valojë për pesë minuta ose dhjetë, nëse dëshironi një shije të fortë.

Kullojeni dhe pijen duke shtuar një fetë limoni ose portokalli për të përftuar më shumë aciditet.

Nëse jo, mund të shtoni një lugë mjaltë ose shurup panje, për të zbutur shijen e fortë të xhenxhefilit.

Imuniteti bazohet në informacionin që trupi ynë transmeton nga vaksina. Sinteza e antitrupave dhe qelizave të bardha të gjakut kërkon një sasi të mjaftueshme të proteinave, thotë  Dr. Ronald Hoffman  nga New York. Ndaj duhen pirë sa më shumë lëngje.

Nga uji dhe çaji e deri tek uji i gazuar, duhet të konsumojmë sasi të mëdha lëngjesh, sepse ethet që mund të shkaktojë një vaksinë mund të çojnë në dehidrim.

Dietë mesdhetare

Ndërsa jemi në proces vaksinimi, ditët para dhe pas, duhet të ndjekim një dietë të shëndetshme. Kjo duhet të ndodhë madje, disa javë para marrjes së dozës së parë. Për këtë na vjen në ndihmë dieta mesdhetare e cila dihet se ka veprim anti-inflamator.

Dieta përqendrohet në perime, fruta, drithëra, omega-3 dhe yndyrna mono të pangopura (të tilla si ato që gjenden tek vaji i ullirit), peshq, shpendë, fasule dhe vezë.

Mishi i kuq dhe në përgjithësi mishi i gjedhit duhet shmangur sikurse i derrit as që duhet çuar nëpër mend. Një studim me persona që u futën në proces vaksinimi duke ndjekur dietë mesdhetare, zbuloi se njerëzit mbi moshën 65 vjeç që hanin pesë ose më shumë racione frutash dhe perimesh në ditë kishin një përgjigje më të fortë imune sesa bashkëmoshatarët e tyre që hanin dy porcione ose më pak.

Dietë me indeks të ulët glicemik

Për disa ditë pas vaksinës duhet të ndjekim një dietë me indeks të ulët glicemik. Një dietë e ulët glikemike do të mbajë nën kontroll sheqerin në gjak. Në përgjithësi, ushqimet që mbajnë sheqerin në gjak në një nivel të shëndetshëm, janë perimet jeshile, shumica e fasuleve, drithërat e plota dhe bukët me drithëra, fruta, të tilla si manaferrat dhe mollët, dhe natyrisht proteina të shëndetshme që gjenden te vezët dhe arrat.

Pse doemos, supë pule

Një supë pule me shumë perime të gatuara mirë, është e tretshme dhe ushqyese. Përgjigja e sistemit imunitar ndaj një vaksine ndryshon nga organizmi në organizëm. Mosha luan një rol, ashtu si edhe lloji i vaksinës. Mikrobioma e shëndetshme e zorrëve luan një rol të rëndësishëm, thotë Dr. Todd Bourne nga Uashingtoni. Ai madje sugjeron një dietë të pasur me fibra dhe ushqime që kanë shije të hidhur apo të thartë, ndërsa thekson se është mirë "të fillosh këtë dietë dy javë para vaksinës dhe të vazhdosh të paktën dy javë më pas".

"Dietat e pasura me fibra inkurajojnë rritjen e baktereve të dobishme që mbështesin përgjigjen imune", shpjegon ai. Dhe ushqimet e fermentuara, si kosi, kefiri, e deri lakra turshi, mund të ndihmojnë në rritjen e mikrobeve të zorrëve që mbështesin përgjigjen imune.

Në të njëjtën kohë, Dr. Bourne është partizan i supës, duke shpjeguar se ajo forcon sistemin imunitar. Ndaj ai ua rekomandon pacientëve të tij gjatë virozave, ftohjes ose gripit. Dr. Bourne ndalet me detaje te sipas që ai e quan nxitës imunitar. Ai thotë se në të duhet të përfshihen veç lëngut të mishit të pulës, edhe qepë, hudhra, xhenxhefil, lëng limoni, majdanoz i freskët, karotë. Ziejini për 15 minuta dhe shtoni majdanozin dhe lëngun e limonit në fund.

Tridhjetë vjet kërkime kanë treguar se stresi, depresioni dhe vetmia mund të ndikojnë në reagimin e sistemit imunitar ndaj vaksinave.

Prandaj duhet të ushqejmë dhe hidratojmë trupin. E njëkohësisht duhet të pushojmë dhe të kujdesemi që të kemi një humor të mirë. Kjo do t’i japë sistemit tonë imunitar mundësinë për t’iu përgjigjur më mirë vaksinës. /noa.al