Nisma e socialistëve në Kuvend për shkarkimin e Metës, reagon Presidenca: Hapni kutitë!
Transmetuar më 04-05-2021, 14:12

Presidenca i përgjigjet kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, pas nismës së socialistëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Balla sulmoi sot nga foltorja e Kuvendit LSI-në dhe Presidentin Ilir Meta.

Balla tha se nisma për shkarkimin e këtij të fundit nuk është tentativë për të kapur institucionin e Kreut të Shtetit, por për të zgjedhur  një President mbi palët për rrugën europiane të Shqipërisë.

Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, përmes një reagimi në “Facebook” thotë se vëmendja ndaj Parlamentit me zero opozitë është zero, ndërsa bën thirrje që të hapen kutitë e zgjedhjeve të 25 prillit.

“Zero vëmendje ndaj Parlamentit me Zero opozitë. Ndryshimi është brenda në kuti. Hapni kutitë! Numëroni dhe rinumëroni me transparencë çdo votë sipas Kodit Zgjedhor. Çdo shkelje dhe manipulim të evidentohet me qetësi deri në fund të procesit! Shqiptarëve nuk mund t’ju grabitet kurrsesi vota dhe vullneti i shprehur përmes saj”, shkruan Blushi.

/a.m/NOA.al