Jep dorëheqjen kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi merr përgjegjësitë e dështimit
Transmetuar më 02-05-2021, 13:10

Astrit Patozi jep dorëheqjen nga drejtimi i Bindjes Demokratike vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Që në fillim të statusit në Facebook, Patozi shkruan se merr përgjegjësitë personale për mosarritjen e objektivave.

“Duke falenderuar edhe një herë kandidatët, mbështetësit dhe të gjithë votuesit e Bindjes Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, kam vendosur të marrë të gjitha përgjegjësitë për mosarritjen e objektivave tona elektorale dhe të dorëhiqem nga drejtimi i partisë.

Fakti që ne bëmë një betejë dinjitoze dhe qytetare, në mesin e një polarizimi ekstrem, që erdhi nga egërsia dhe ashpërsia e forcave kryesore politike, nuk mund të shërbejë në asnjë rast si justifikim për askënd prej nesh, por sidomos për mua që udhëhoqa fushatën. E kemi ditur që në fillim se në kohë lufte njerëzit nuk kanë mundësi të dëgjojnë muzikë, por nuk kemi ndërmend të fshihemi prapa rrethanave të vështira dhe të pazakonta”, shkruan Patozi.

Ai kërkon që projekti të vazhdojë, si shenjë respekti për ata që besuan dhe votuan, duke e konsideruar qëllimin e Bindjes Demokratike si një ide për të ndryshuar mënyrën e drejtimit të vendit.

“Dorëheqja ime është një akt moral përgjegjësie, por kurrërrësesi dorëzim. E kemi shpallur që në ditën e parë të themelimit se Bindja Demokratike nuk është një njeri, as një grup personash, e aq më pak pronë apo ndërmarrje biznesi e dikujt.

Ajo është një ide e bukur për të ndryshuar mënyrën e drejtimit të Shqipërisë, pasi ne mendojmë se ajo keqqeveriset për shkak të një sistemi të kapur, që ka mbyllur të gjitha shtigjet e konkurrencës së lirë”, shkruan më tej Patozi. /k.k/noa.al/