Transmetuar më 02-05-2021, 09:01
Foto ilustruese

Disa ditë pasi Shqipëria vendosi karantinë për ata që hyjnë nga Greqia, për 14 ditë, edhe pala greke njoftoi sot ashpërsim të masave për shqiptarët ndërsa i ka lehtësuar ato për disa shtete të tjera.

Greqia njoftoi shtrirjen e masave kufizuese me Shqipërinë nga 3 maji deri më 14 maj ku parashikohet karantinë prej 14 ditësh për ata shtetas që udhëtojnë nga kufiri shqiptar drejt Greqisë duke përjashtuar drejtuesit e kamionëve.

Sipas njoftimit në gazetën qeveritare greke mbetet në fuqi kufizimi me 400, i numrit të personave që lejohen të hyjnë në ditë në Greqi nga Kakavia, vetëm në orarin 7 deri 19, ndërkohë që pikat e tjera kufitare me Shqipërinë do të vijojnë të jenë të mbyllura.

Kohëzgjatja deri më 14 maj vjen ndërsa herët e fundit, shtyrja e masave ka qenë vetëm 7 ditë.

Vendimi grek për të mbajtur ende mbyllur kufijtë, formalisht thuhet se bazohet tek të dhënat epidimiologjike të Shqipërisë. Por e vërteta është se në vendin tonë rastet e reja janë ulur ndjeshëm dhe janë shumë herë më të ulëta se në Greqi dhe në shtetet që Greqia ka lehtësuar kufizimet.

Karantina e detyrueshme 14 ditë për të gjithë ata që hyjnë nga Shqipëria, përjashtuar kamionistët, vjen pasi më herët karantina ishte 7 ditë për ata që hynin në rrugë tokësore dhe 3 ditë për ata që hynin në Greqi me avion.

Që nga marsi 2020, Greqia nuk lejon shqiptarët të futen në atë vend, me pretekstin e koronavirusit. Gjatë verës në Greqi shkuan shumë njerëz nga e gjithë bota për pushime, por ata nuk ishin vend si Shqipëria, jashtë BE. /noa.al