Transmetuar më 01-05-2021, 09:23

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përshëndeti sot gjithë punëtorët e Shqipërisë, me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve ku tha se rritja e pagës minimale dhe pensioneve është një detyrim i qeverisë për njerzit e punës.

Përmes një deklarate për mediat, Ruçi thotë se çdo punë ka dinjitetin e saj e çdo punëtor është një vlerë, ndërsa thekson rëndësinë e masave fiskale për të mbështetur punën dhe njerzit që punojnë.

“ Sot Ju drejtohem me respekt ju, punëtoreve e punëtorëve, që me djersën dhe punën tuaj siguroni mirëqenien e familjeve, rrisni e edukoni fëmijët dhe kontribuoni në zhvillimin e Shqipërisë.  Ju përulem ju, grave e burrave të Shqipërisë,  që punoni në kantieret e ndërtimit, fasoneritë, fabrikat, spitalet, serrat, arat, bizneset e vogla dhe kudo ku punohet, ndërtohet, prodhohet e shërbehet.

Pagat dhe kushtet e punës duhet të ndihmojnë mirëqenien dhe ushqejnë dinjitetin e familjeve punëtore. Rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë, rritja  e pensioneve dhe dyfishimi i bonusit për pensionistët nuk janë privilegje, por plotësimi i detyrimeve ndaj tyre. Dinjiteti i pagave dhe kushteve të punës dëfton integritetin e shoqërisë.

Zerimi i taksave për pagat e ulta, ulja e taksave për pagat e tjera si edhe zerimi i tatim-fitimit dhe tvsh për biznesin e vogël për nje periudhë 10-vjeçare janë masa për të mbështetur njerëzit punëtorë të këtij vendi. Ne respektojmë ata që krijojnë punë dhe hapin vende pune.

Por u japim më shumë respekt atyre që punojnë dhe ndërtojnë përditë ekonominë e Shqipërisë. Mendja jonë si ligjvënës e qeverisës është te puna, zemra jonë është te njerëzit e punës. Çdo punë ka dinjitet, çdo punëtor është vlerë për shoqërinë", thot` Ruçi.

Në deklaratën e tij kreu i Kuvendit Ruçi shkruan se "Punëtorët janë patriotët, qytetarët e prindët më  të mirë. Asgjë nuk e forcon Shqipërinë më shumë sesa puna, asgjë nuk i edukon më mirë fëmijët sesa dashuria për punën. Shqipëria progreson vetëm nga puna dhe njerëzit e punës. Asgjë nuk e nderon më shumë Kuvendin dhe Qeverinë e Shqipërisë sesa kujdesi për njerëzit e thjeshtë dhe të punës”, thuhet në deklaratën e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, me rastin e 1 Majit./K.B/NOA.al