Transmetuar më 30-04-2021, 13:54

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se 83 mijë votat e shpallura të pavlefshme gjatë procesit të numërimit duhet të hetohen me pamjet filmike duke theksuar se mund të lëvizin edhe mandate në disa qarqe.

Meta komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama për nisjen e procedurave për shkarkimin e tij duke deklaruar se këto janë shashka që synojnë të largojnë vëmendjen nga çështjet e krimit zgjedhor.

Kreu i shtetit u pyet nëse e mandatojë Edi Ramën si kryeministër pas fitores së socialistëve, ku u shpreh se nuk është koha e duhur për të folur lidhur me këtë.

Ai tha se do të  shqyrtohen të gjitha ankimimet në zbatim të kodit zgjedhor.

Presidenti Ilir Meta refuzoi sërish të japë do të hapë dorëheqjen. Para gazetarëve, Meta tha se konferencën e fundit për shtyp në Presidencë do ta japë më 24 korrik të vitit 2022.

“Konferencën e fundit për shtyp e kemi në 24 korrik këtu. Merruni me votat, me kontestimet, me kutitë që kanë pasur fletë tepër”, tha ai.

I pyetur nëse dështoi Monika Kryemadhi me drejtimin e LSI, Presidenti refuzoi të jepte një përgjigje duke u kërkuar gazetarëve që të merren me procesin e zgjedhjeve.

“Pyeteni vetë zonjën në fjalë për këtë çështje. Unë po ju ftoj, shikoni dhe ndiqni procesin me transparencë të plotë aty i mbani sytë, lerini këto shashkat sa këtej andej,” tha Meta.

Lidhur me procesin zgjedhor Meta tha:

“Tani të përqendrohen në këtë çështje. Është e rëndësishme të bëhet një hetim i fletëve të pavlefshme. Një qytetar që shkon të votojë, rri në orë të tëra në radhë dhe ajo i del e pavlefshme për shkak të marifeteve dhe kalkulimeve kjo është e pafalshme dhe nuk duhet të ndodhë më.

Asnjë përgjigje për shashkat që duan të largojnë vëmendjen tuaj nga 83 mijë votat e pavlefshme dhe me pamjet filmike duhet parë si janë bërë të pavlefshme një pjesë e tyre. Ju e dini shumë që diferenca është jashtëzakonisht e ngushtë. Mund të lëvizin shumë mandate në këto qarqe. Të ishte për këtë histori kishte ikur 100 herë Ilir Meta nga presidenca por ju e dini që unë e mbaj fjalën. Të respektohet çdo votë që është hedhur deri në fund. Asnjë kuti të mos ndërrohet dhe asnjë përpjekje për të mbuluar çdo lloj krimi që ka ndodhur atje të mos bëhet. Ilir Meta në këto zgjedhje nuk ka kandiduar.

Për dekretimin e qeverisë kreu i shtetit u shpreh:

Janë gjëra që kanë kohën e tyre. Kërkohet të zbatohet kodi zgjedhor deri në shterimin e kërkesës së fundit edhe brenda partisë. Është e rëndësishme të respektohet vota e çdo kandidati. Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në këtë zgjedhje. Ka qenë vetëm një qytetar dhe votues. Nuk kam bërë thirrje për të kërkuar vota. Në të ardhmen ndoshta do keni mundësi të shikoni sa vota merr Edi Rama. Jam shumë i kënaqur se pavarësisht presionit, është e rëndësishme që 25 prilli, falë përpjekjeve të Ilir Metës vajti qetësisht dhe nuk pati problem serioz. 74% e qytetarëve të republikës kanë votuar. Çdo votë duhet të numërohet dhe të rinumërohet. Përpjekjet për shashka janë të dëshpëruara”, deklaroi presidenti Ilir Meta./a.m/NOA.al