‘Shpopullimi’, Meta: Zbrazja e Shqipërisë rrezikon të kthehet në fatkeqësi kombëtare
Transmetuar më 30-04-2021, 09:10

Si dramën më të madhe të ndodhur në dekadën e fundit në vend, e cilëson fenomenin e shpopullimit Presidenti i Republikës Ilir Meta.

Përmes një statusi në rrjete sociale, ai thotë se duhet një reflektim i shpejtë dhe zgjidhje konkrete për të ndaluar këtë gjë.

Meta citon Institutin për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës dhe thotë se nga viti 2010 deri në vitin 2019 sipas tij, janë larguar rreth 500 mijë qytetarë, disa herë më shumë se në vendet e tjera të rajonit.

“Ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë, dramës më të madhe që i ka ndodhur vendit dekadën e fundit, është sfida më e madhe, që kërkon reflektim urgjent dhe zgjidhje konkrete.

Sipas Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës, nga viti 2010 deri në vitin 2019 janë larguar nga Shqipëria rreth 500 mijë qytetarë, disa herë më shumë në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Me këto ritme dramatike zbrazja e Shqipërisë rrezikon të kthehet në një fatkeqësi kombëtare. Adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike”, shkroi Meta./K.B/NOA.al