Transmetuar më 26-04-2021, 17:02

Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës, Mark Marku, në një deklaratë për mediat deklaroi se rezultati për forcën  e tij politike është pozitiv.

Ai tha se PD-ja është dukshëm në epërsi deri tani në Lezhë, Mirditë dhe Laç, si dhe u shpreh se PD-ja pret të paktën 4 mandate.

Marku thekson se me gjithë luftën e pabarabartë, PD e ka siguruar mandatin e katërt në Lezhë, ndërsa shtoi se është blerë mandati i pestë.

“I takon që ne praktikisht të kemi të garantuar mandatin e katërt. Është absolutisht i garantuar mandati i katërt. Mund ta konfirmoj edhe këtu, numërimet kanë nisur nga bastionet e humbura. Në Zadrimë ka pasur presion. Në Laç e kanë nisur me qytetin. U them që ka pasur tentativa shumë të mëdha për abuzime shit-blerje vote. Jam i bindur që ka qenë gjithë pushteti lokal në shit-blerjen e votës. Paratë janë shpërndarë nga zyrat e bashkive. Kemi bërë një luftë të pabarabartë por kemi fituar. Në gjithë Shqipërinë janë numëruar bastionet e PS-së. Ky është truku i fundit elektoral i Ramës. Jam i bindur që na është blerë mandati i pestë. Patjetër, kemi prova. I kemi filmuar. Kryetarët e bashkive kanë qenë shefat e blerjes së votës. Me gjithë paratë që janë hedhur, ne e kemi fituar mandatin e 4-ët dhe kemi 5000-6000 vota mbi mandat”, tha Mark Marku.

Por Mark Marku tha se ka prova që pushteti lokal është i angazhuar në shit-blerjen e votave, edhe në rang kombëtar. Kjo është deklarata e parë nga PD-ja, që vë në diskutim rezultatin.

“Unë shikoj që në rang kombëtar ka një truk për të mashtruar opinionin publik. Unë ju them që ka pasur tentativa shumë të mëdha për abuzime dhe shitblerje vote dhe jam i bindur që ka qenë angazhuar gjithë pushteti lokal për shitblerje vote. Do të publikojmë shumë shpejt rastet. Megjithatë, ne fituam”, tha Mark Marku./a.m/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd