
Dy persona në Durrë kapen duke shpërndarë para në këmbim të votës, sipas policisë, për llogari të LSI. Ngjarja ka ndodhur sot në qytetin bregdetar.
Policia njofton për noa.al se nga informacionet e marra në rrugë operative, në një mjet tip "Passat" dyshohet se po kryheshin veprime të kundraligjshme kundrejt shit-blerjes së votës, në vendin e quajtur Bishti Kamëz.
Policia ka ndaluar dhe ka kapur në flagrancë dy persona, N.M., 37 vjeç, banues në Qerret dhe Xh.T., 23 vjeç, banues në Qerret, Durrës, përfaqësues të një subjekti politik.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet dyshohet se u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 zarfë me nga 5 dhe 10 mijë lekë secili, që dyshohen se do të përdoreshin për blerjen e votës.
Gjithashtu gjatë kontrollit në mjet u gjendën fletë votimi të cikluara për një subjekt politik.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.
Dy të ndaluarit akuzohen për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje"./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





