
Një kandidat për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit është shpallur në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” njoftoi policia. Ai është identifikuar si shtetasi Etjon Joka 32 vjeç, kandidat i LSI i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.
Policia ka ndaluar gjithashtu shtetasin E.B 30 vjeç për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.
Në kuadër të procedimit penal, datë 23.04.2021 të SPAK dhe bazuar në pamjet filmike të transmetuara në media dhe rrjete sociale, këta dy shtetas janë të dyshuar për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar disa kontrolle por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e shtetasit E. J.
Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit E. B., për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, dhe në ngarkim të shtetasit E. J., për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Lidhur me këtë zhvillim ka ardhur reagimi dhe i kryetares së LSI, Monika Kryemadhi. Ajo thotë se socialistëve nuk ju del e keqja atyre me Etion Jokën se ka qenë në PS dhe ka ikur. "Mjafton të shikoni cili televizion i ka publikuar ato pamje për të kuptuar se ishte sulm i orkestruar nga ata që blerjen e votës e kanë bërë si të blesh gjethe rrushi për japrak".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





