Nuk shkonte në punë, prej 15 vjetësh punonjësi i spitalit merrte rrogë të plotë, arrestohet ‘mbreti i mashtruesve’
Transmetuar më 23-04-2021, 21:13

Një punonjës spitali i akuzuar se ka munguar në punë për 15 vjet duke marrë rrogë të plotë, është konsideruar si  ‘mbreti i mashtruesve’, në Itali.

Mediat e kanë identifikuar atë si Salvatore Scumace.

Ai raportohet se ka qenë në spital vetëm një herë, ditën e nënshkrimit të kontratës së punës, por thuhet se ishte paguar 538,000 euro gjithsej gjatë viteve që mendohet se nuk ka punuar.

Gjashtë drejtues në spital janë arrestuar bashkë me të, si rezultat i një hetimi të gjatë policor, mbi mungesat dhe mashtrimet e dyshuara në sektorin publik italian.

Scumace po hetohet për abuzim me detyrën, mashtrim dhe zhvatje në kushte të rënduara, ndërsa gjashtë drejtues të spitalit janë arrestuar si të dyshuar se kanë ndihmuar me mashtrimin afatgjatë.

Besohet se Scumace, punonjës civil, nuk kishte shkuar në punë prej vitit 2005, pas një konflikti me ish-shefen e tij, kur sapo e kishte nisur detyrën.

Policia thotë se kishte kërcënuar drejtoreshën e spitalit, duke e ndaluar atë që ajo të depozitonte ankesë disiplinore. Duke mos pasur një të tillë, ai kurrë nuk u kontrollua nëse shkonte apo jo në punë.

Por pas daljes së saj në pension, pasuesit nuk kontrolluan kurrë për punën e tij, duke e lejuar të vazhdonte të merrte rrogën e plotë pa u paraqitur.

Në 2015, policia zbuloi se edhe 75% e punonjësve të këshillit bashkiak në San Remo, nuk shfaqeshin në punë. /a.m/NOA.al