Transmetuar më 21-04-2021, 16:23

Autori i dyshuar i vrasjes së Pjerin Xhuvanit, Arbër Papleka ka deklaruar para policisë së ka qëlluar për vetëmbrojtje.

Papleka ka thënë se sipas tij shoqëruesi i Pjerin Xhuvanit, Klement Xhaferri ishte i pari që qëlloi dhe iu desh të vetëmbrohej.

Gjithashtu ka deklaruar se në zanafillë të ngjarjes ata ishin lajmëruar për një makinë që shpërndate para për vota, dhe kanë tentuar ta ndalojnë.

Klement Xhaferri është një person me të shkuar kriminale, i arrestuar më parë te tregu i Elbasanit.

E ndërkohë, detaje të reja janë bërë me dije lidhur me ngjarjen e mesditës së sotme në lagjen “5 maji” në Elbasan, pranë zyrës elektorale të PD-së, sipas një raporti të portalit lokal të Elbasanit, infowebtv.

Arbër Papleka, ish-efektiv i RENEA-s ka qëlluar me kallashnikov dhe për pasojë ka mbetur i vdekur Pjerin Xhuvani, Drejtor i Fondit të Detyrueshëm Shëndetësor. Gjithashtu ka mbetur e plagosur efektivja e ‘Shqiponjave”, Xhensila Sota, dhëndri i Pjerin Xhuvanit (në gjendje kritike për jetën) dhe një person tjetër.

Arbër Papleka, pasi ka qëlluar drejt viktimës në mes të qytetit ka marrë marrë makinën e një qytetari dhe është larguar. Më pas ai është dorëzuar.

Policia ka ngritur postblloqe të shumta dhe ka vënë gjithë Elbasanin në shtetrrethim, duke shoqëruar disa persona si atje si dhe në Elbasan, ndërkohë që drejtuesi politik i PD në Elbasan Gazment Bardhi është shoqëruar në polici si dëshmitar që mund të ketë dijeni mbi ngjarjen, duke qenë se edhe Arbër Papleka ka qenë shoqërues i Bardhit.

Grupi hetimor ka sekuestruar të gjitha kamerat e mundshme dhe disa drejtues të lartë të policisë ndodhen në terren, përfshirë dhe Ardi Veliun.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd