
Vaksina që po qarkullon në Shqipëri nuk është CoronaVac e kompanisë kineze Sinovac, por një vaksinë turke që kompania e atjeshme thotë se po e prodhon në Turqi me formulën e asaj kineze, raporton Noa.al.
Zbulimi bëhet nga një dokument zyrtar i qeverisë shqiptare e cila ka kaluar një akt normativ në të cilin pranohet se vaksinat që po vijnë në vendin tonë në të vërtetë janë prodhim turk dhe jo ai origjinal kinez.
Arsyeja është se Sinovac ka njoftuar që nuk ka më gjendje stoku të vaksinës Vero Cell Coronavac të krijuar nga Sinovac Life Science Co, Ltd.
Në një akt normativ më 16 prill 2021, qeveria ka kaluar një tjetër akt normativ, atë me nr 14 ku në relacionin shoqërues thuhet se Kina ka njoftuar që Sinovak Life Science CO Ltd ka ndërprerë furnizimin e kompanisë turke me vaksinën CoronaVac Covid-19 (Vero Cell) si një produkt i përfunduar në Kinë.
Në situatën e krijuar, kompania turke ka ofruar të sjellë në Shqipëri vaksinën që prodhohet prej saj në Turqi. Është fjala për CoronaVac 600SU/IM – Suspension dhe është pikërisht kjo vaksinë që po vjen dhe përdoret në Shqipëri.
Sipas shkresës që shoqëron aktin normativ, kompania turke mban autorizimin e përdorimit emergjent për tregtim të kësaj vaksibe. Në relacionin e aktit normativ thuhet se kjo vaksinë përmban të njëjtën substancë aktive (formulë), e cila prodhohet nga Sinovac Life Science Co ltd.

Pamje e Aktit Normativ të ndryshuar për marrëveshjen mbi vaksinat
Dhe meqë vaksina që po vjen nuk është ajo kineze që dinë gjithë shqiptarët, por një prodhim turk i ngjashëm, akti normativ ka bërë shtesë dhe ndryshimin e tretë në një muaj, sepse vaksina e re e sjellë nga kompania turke nuk është e aprovuar nga vendi prodhues i vaksinës, Kina, por vetëm nga vendi turk.
Rama foli për vaksinë kineze të ardhur nga Turqia, jo vaksinë prodhim turk
Në 25 mars të këtij viti, kryeministri Rama njoftoi se kishte siguruar 1 milion vaksina kineze, një pjesë e të cilave mbërrinte po atë ditë përmes Turqisë, në aeroportin e Rinasit.
Ndryshojnë vazhdimisht aktet normative
Deri para disa kohësh Qeveria me akt normativ sanksiononte se në Shqipëri do të futen vetm vaksina të certifikuara nga BE dhe SHBA: "Vaksinat anticovid-19 aprovohen për përdorim në popullatë bazuar në aprovimet e Food and Drugs Administration të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDA) dhe/ose European Medicine Agency (EMA) të Bashkimit Europian".
Por më datë 10.1.2021, meqë vaksina e prodhuar në Kinë nuk kishte autorizimin për përdorim as nga FDA e as nga EMA, doli akti normativ i Këshillit të Ministrave dhe u ndryshua si më poshtë:
Neni 2 – Vaksinat anticovid-19 aprovohen për përdorim në popullatë bazuar në aprovimet e Food and Drugs Administration të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDA) ose European Medicine Agency (EMA) të Bashkimit Europian ose të trupave të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksina anticovid-19.

Pamje neni 2, i Aktit Normativ për marrëveshjen për përdorimin e vaksinës, datë 12 mars 2021
Më 24 mars 2021, doli akti normativ nr 9 ku u kalua në Parlament marrëveshja e furnizimit me vaksinë kundër Covid-19, mes Ministrisë sonë të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Institutit të Shëndetit Publik dhe nga ana tjetër, distributorit të autorizuar “Keymen Ila9 Sanayi ve ticaret”, A.S për vaksinën Vero Cell Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science Co, Ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës, sipas tekstit që i bashkëlidhej këtij akti normativ.

Pamje, neni 1 i Aktit Normativ për marrëveshjen për përdorimin e vaksinës, 24 mars 2021
Pak ditë më pas, më 16 prill 2021, qeveria ka kaluar një tjetër akt normativ, atë me nr 14 ku në relacionin shoqërues thuhet se Kina ka njoftuar që Sinovak Life Science CO Ltd ka ndërprerë furnizimin e kompanisë turke me vaksinën CoronaVac Covid-19 (Vero Cell) si një produkt i përfunduar në Kinë.
Në këto kushte kompania turke me pranimin nga qeveria shqiptare ka sjellë në Shqipëri vaksinën që përdoret në Turqi, CoronaVac 600SU/IM – Suspension. Kjo vaksinë është prodhuar me formulë të ngjashme me atë kineze Sinovac, por nuk është e miratuar nga Kina.
Në relacionin që shoqëron aktin normativ thuhet se kjo vaksinë përmban të njëjtën substancë aktive (formulë), e cila prodhohet nga Sinovac Life Science Co ltd.

Pamje e Aktit Normativ të ndryshuar për marrëveshjen mbi vaksinat, datë 7 prill 2021
Fakti që vaksina e re e sjellë nga kompania turke nuk ka aprovim nga Kina që prodhoi vaksinën origjinale, detyroi qeverinë shqiptare të kalojë një tjetër akt normativ.
Ndaj u ndryshua përsëri neni 2 i aktit normativ nr.1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave.
Si ishte
Neni 2 – Aprovimi i Përdorimit të Vaksinës në Popullatë
Vaksinat anticovid-19 aprovohen për përdorim në popullatë bazuar në aprovimet e Food and Drugs Administration të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDA) ose European Medicine Agency (EMA) të Bashkimit Europian ose të trupave të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksina anticovid-19.
Si u bë neni 2
Vaksinat anticovid-19 aprovohen për përdorim në popullatë bazuar në aprovimet e Food and Drugs Administration të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDA), European Medicine Agency (EMA) të Bashkimit Europian, të trupave të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksina anticovid-19 si dhe vendeve të mbajtësit të autorizimit të tregtimit për vaksinat anticovid.

Pamje e Aktit Normativ të ndryshuar për marrëveshjen mbi vaksinat, datë 9 prill 2021
Zbulimi vjen pasi ditët e fundit kanë qarkulluar në publik, zëra se vaksina që po injektohet në Shqipëri nuk është ajo origjinale kineze.
Më 19 prill kur erdhën edhe 208 mijë doza vaksine, ministria e Shëndetësisë njoftoi mediat se kishin ardhur vaksinat CoronaVac të kompanisë kineze Sinovac.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





