
Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me audio-përgjimin që publikoi sot gazetari Artan Hoxha.
Në audio-përgjim përfshihej kreu i Kadastrës, Artan Lame.
“Një audio-përgjim tronditës, që provon se për "Rilindjen" shqiptarët janë "mish për top", ndërsa zyrat e shtetit, që paguhen me taksat tona, janë kthyer në strofulla të fuksave, banditëve, të korruptuarve, shkelësve të ligjit dhe "taksidarëve" të biznesit kriminal të votës”, shkroi Meta përmes reagimit në Facebook.
“Pres nga Drejtësia të zgjohet dhe të nisë menjëherë hetimet për këtë skandal të rëndë, që meriton ndëshkim”.
“I bëj thirrje Policisë së Shtetit, të bëjë kujdes dhe të ndalë përpjekjet për manipulimin e provave të flagrancës të krimit zgjedhor”.
“Mos e detyroni popullin të arrestojë të paudhët!”, mbylli reagimin e tij kreu i shtetit.
Në audio-përgjimin e drejtorit të Kadastrës, që është publikuar nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Lame dëgjohet të japë direktiva të qarta, gjatë kësaj fushate elektorale ndërsa flet për çështjen e legalizimeve.
Në audio përgjimin, të cilin gazetari Hoxha e ka publikuar në facebook, Lame thotë se nga 170 mijë dosje legalizimesh, vetëm 60 mijë bëhen, kurse për mbi 100 mijë të tjerë situata duhet mbajtur varur.
/a.m/NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





