Transmetuar më 19-04-2021, 22:26

Edhe 8190 doza të vaksinës Pfizer mbërritën sonte në mbrëmje në Rinas, duke arritur në 703,550 doza vaksinash në vend.

Katër ditët e fundit ka pasur një fluks mbërritjesh të vaksinave kundër koronavirusit SARS-CoV-2, raporton noa.al.

Në 48 orë erdhën dy ngarkesa me Pfizer-BioNTech. Po ashtu gjatë fundjavës mbërritëm edhe dy ngarkesa me mbi 100 mijë doza AstraZeneca.

Ndërsa sot erdhën edhe 209 mijë doza CoronaVac të kompanisë kineze Sinovac.

Në 24 orët e fundit u kryen 13.029 vaksinime. Të moshuarit po marrin Sinovac, po ashtu dhe gazetarët.

Forcat e policisë bashkiake po marrin AstraZeneca, po ashtu dhe mësuesit e pedagogët.

Bluzat e bardha po marrin Pfizer-BioNTech dhe pritet që të njëjtat ti marrë dhe ushtria.

Vaksinën ruse Sputnik-V janë duke e marrë një pjesë e forcave policore.

Deri tani, me ekipet e vaksinimit në të gjithë vendin, janë kryer 345,934 vaksinime.

Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë, tha sonte se vaksinimi do të vijojë pa u ndalur, "derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar". /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd