Transmetuar më 19-04-2021, 19:15

Katër nga pesë personat që mbetën të plagosur mesditën e kësaj të hëne në xhaminë ‘Dine Hoxha’ në Tiranë nga 34-vjeçari Rudolf Nikolli, kanë lënë spitalin e Traumës kur morën ndihmën mjekësore.

Sipas konfirmimit të mjekëve, vetëm njëri prej 5 të plagosurve nuk do të lërë spitalin për shkak të plagëve të marra.

Imami i Xhamisë “Dine Hoxha” Ahmed Kalaja, pasi ka dalë nga spitali ku dhe ndodhen të 5 plagosurit, ka treguar edhe gjendjen shëndetësore të tyre.

Ai tha se njëri prej të plagosurve është në gjendje pak më të rëndë, pasi është plagosur afër veshkës, por megjithatë fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kalaja tha se agresori sulmoi fillimisht në rrugë më pas në xhami,

“Njëri prej tyre në gjendje pak më të rëndë, është plagosur pranë veshkës, por jashtë rrezikut për jetën. Sipas autoriteteve, agresori ka qenë me probleme mendore.  Është rast i izoluar. Ka sulmuar fillimisht te piceria pastaj në rrugë e më pas tek xhamia”- tha ai.

Agresori kishte qenë vetë praktikant i xhamisë dhe dyshohet se vuante nga probleme mendore.

Rudolf Nikolli, autor i ngjarjes i arrestuar, ka lënë të plagosur me një thikë pesë persona, Donald Koçi, rreth 35 vjeç, Saba Peposhi, rreth 22 vjeç, Mariglen Konja, rreth 24 vjeç, Kleon Jaupaj, rreth 26 vjeç dhe Anri Tola, rreth 23 vjeç, mes të cilëve është edhe një punonjës i picerisë pranë xhamisë që ka hyrë për të ndihmuar besimtarët. /a.m/NOA.al