Transmetuar më 19-04-2021, 17:15

Babai i Rudolf Nikollës, 34 vjeçarit që u ndalua nga policia si autori i dyshuar i plagosjes së pesë besimtarëve brenda xhamisë “Dine Hoxha”, në kryeqytet, konfirmon se djali i tij po përjetonte  një periudhë depresioni. Madje i ati i tij shtoi se 34-vjeçari trajtohet me ilaçe dhe nuk i kishte pirë ditët e fundit.

34 vjeçari kishte shkuar edhe në vendin fqinj, Maqedoninë e Veriut, ku ishte përkeqësuar edhe më tepër gjendja e tij.

Ai i pyetur në News24 në lidhje direkte tha se vetë është katolik, por gruan e kishte myslimane dhe djalin nuk e kishte penguar që shkonte në xhami.

Sipas të atit, djalin e kishte shtyrë drejt fesë islame që në moshë të vogël një hoxhë në zonën e Matit ku ata banojnë.

“Unë vetë jam katolik. Një hoxhë që rrinte këtu i merrte kalamajtë që të vegjël. Filloi çuni duke u falur me myslimanizmin. Pavarësisht se jam katolik unë myslimanët i respektoj se gruan myslimane e kam” tha ai.

“E mora vesh në lajme, jam shumë i irrituar, nuk di çfarë të them. Është një nga fëmijët më të mirë, më të mrekullueshëm të mitë, kam 4 çuna dhe dy goca”.

“Djali iku në Maqedoni, nuk e di çfarë i futën ndonjë çaj, ndonjë gjë, kaloi në depresion, që përpara Vitit të Ri. I thashë pijë ilaçet, por nuk i pinte. Ai nuk është mirë me shëndetin. Nga viti i ri dhe deri tani shkoi 5 herë në spital. Nuk ma merrte mendja se do ta bënte këtë gjë në vend të shenjtë”, tha i ati i 34 vjeçarit në rrëfimin tronditës, pas ngjarjes, në një lidhje direkte për “News 24”.

Djali kishte qenë disa herë në këtë xhami, ku kryente ritualin e faljes, ndërsa më pas kishte shkuar në një tjetër xhami.

Ai tha se djali nuk ishte mirë, ishte shtruar 5 herë në spitalin Psikiatrik nga dhjetori e deri më tani.

“Babi më ndjekin njerëzit nga mbrapa. Më ndjekin. Se kush janë ata njerëz që më ndjekin se di. Unë e di se do më vrasin, do më zhdukin. E ndjej”, i kishte thënë ai të atit.

“Tani ai ose e ka nga sëmundja, ose tamam e ndjekin. Se di. Kur unë rri i qetë me të, ai këtë llaf më ka thënë. Ai u çonte natën disa herë. Mendoj se ka pasur kërcënime. E kanë ndjekur njerëzit. Unë i kam thënë; nëse ke borxhe, t’i paguan babi, sa lekë të jenë. Ai më ka thënë; më ndjekin shumë njerëz nga pas. E largova nga shtëpia tek stadiumi ‘Qemal Stafa’ i gjeta një tjetër me qira. Gjasme sikur ishte vend i keq që e ndiqnin njerëzit. E pyeta; “A të ndjek kush më?”. Ai më tha; “Vazhdojnë të më ndjekin po ata persona”.

“Edhe ai tek ajo xhamia tek Rruga e Kavajës, rrallë herë ka shkuar me u fal. Ai u pat larguar prej xhamisë tek Rruga e Kavajës, shkonte në xhami tjetër. I pata thënë, mos ik or bab në xhami. Meqë e sheh se nuk të duan njerëzit aty, se të thonë; ‘Je kaur e do me na prish’.

I dyshuari neutralizohet nga besimtarët

I ati tha se vazhdoi shkollën për Frëngjisht në Tiranë dhe bëri një dy vite si mbaroi të gjitha.

34 vjeçari ka tentuar edhe të largohet nga Rinasi, por e kishin kthyer dhe i ishte rënduar gjendja.

“Nga viti i ri është shtruar 5 herë në spital. I kam raportet këtu. I kam ilaçet akoma këtu dhe nuk mi pi”, -tha babai i 34-vjeçarit.

Xhamia ku ndodhi ngjarja

Lidhur me ngjarjen Rudolf Nikolli ka ardhur nga qendra në drejtim të xhamisë e cila ndodhet tek Rruga e Kavajës dhe ka plagosur fillimisht me thikë 4 besimtarë që ndodheshin aty.

Pamje nga vendngjarja

Më pas, autori ka kaluar në anën tjetër të rrugës dhe ka plagosur dhe një punonjës picerie që ndodhet afër zonës.

Ndërkohë kanë qenë besimtarët e tjerë që kanë bërë të mundur dhe neutralizimin e autorit të kësaj ngjarje, madje nga pamjet e bëra publike, 34 vjeçari është dhunuar prej tyre, derisa ka mbërritur policia.

I dyshuari Rudolf Nikolli

Mësohet se të plagosurit janë të 35-vjeçari Donald Koçi, 22-vjeçari Saba Peposhi, Mariglen Konja, rreth 24 vjeç dhe Anri Tola, rreth 23-vjeç të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Thika e krimit

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, te xhamia që ndodhet në Rrugën e Kavajës.

I dyshuari Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku pritet që të merret në pyetje nga anti-terrori.

Siç edhe u dëshmua nga babai i tij, duket se ngjarja nuk ka lidhje me urrejtje fetare, me prapavijë terrori, apo shkaqe të tjera, por lidhet me gjendjen e rëndë depresive të të riut.

Gjithsesi, hetimet e mëtejshme do të zbardhin motivin e kësaj ngjarjeje.

Mesazhi i imamit

Ahmed Kalaja

Imami Ahmed Kalaja përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjete sociale dha informacione në lidhje me sulmin e ndodhur në ambientet e xhamisë te rruga e Kavajës.

Kalaja bën me dije se u sulmuan 5 persona mes të cilëve pjesë e stafit të xhamisë dhe disa besimtarë.

Imami Ahmet Kalaja: Shpresojmë që mos të ketë një akt terrorist, por shpresojmë të ketë qenë një njeri me të meta mendore. Shpresojmë që për punë orësh xhamia të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Janë plagosur disa vëllezër nga stafi i xhamisë, dhe disa besimtarë të cilin kishin ardhur për të adhuruar Zotin.

I lutemi Zotit që personi të marrë dënimin e merituar. Paqja qoftë mbi ju.

Pamjet/ Shkelma dhe karrige kokës, momenti kur besimtarët neutralizojnë agresorin që sulmoi me thikë 5 të rinj në xhami

/a.m/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd