Transmetuar më 19-04-2021, 09:31

Pandemia e vitit 2020 ndryshoi rrjedhën normale të ekonomisë. Karantina e plotë që zgjati gati tre muaj e më pas kufizimet në orare, udhëtime kanë dëmtuar disa sektorë kyç, si tregtia, akomodimi, transporti, baret e restorantet, agjencitë turistike, që nuk arritën të merrnin veten as në gjysmën e dytë të vitit.

Sektorë të tjerë nuk u prekën, siç është bujqësia, ndërsa pasuritë e paluajtshme kishin ecuri pozitive gjatë gjithë vitit, edhe në kohën e karantinës. Në 6-mujorin e dytë lulëzoi edhe ndërtimi.

Të dhënat paraprake të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se struktura e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas aktiviteteve ekonomike, ka pësuar ndryshime në 2020-n, si rrjedhojë e zhvillimeve të diktuara në pjesën më të madhe nga pandemia. Ekonomia në total ra me 3.3% në 2020-n, shifër më e ulët se pritshmëritë fillestare që varionin nga -4.5 në -9%.

-Bujqësia është sektori i madh në ekonomi dhe vetmi që nuk e ka përjetuar direkt krizën. Karantina nuk i ndikoi zonat rurale, puna vazhdoi normalisht, ndërsa kërkesa për produkte bujqësore u rrit, së bashku me eksportet. Në fund të 2020-s, pesha e bujqësisë ndaj totalit të ekonomisë arriti në 19.3% të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB), nga 18.4% në dy vitet e mëparshme. Ky është niveli më i lartë që nga viti 2014, kur ajo zinte gati 20% të PBB-së.

-Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, i dyti më i madh në vend pas bujqësisë ishin më të goditurat nga pandemia. Ky aktivitet ra me 12.5% në 2020-n, duke humbur të paktën 270 milionë euro (të ardhura të munguara). Ky sektor, i lidhur direkt me konsumin, turizmin dhe udhëtimet, është dhe gjeneratori më i madh i punësimit privat në vend, me rreth 200 mijë të punësuar (nga të cilët 60 mijë janë në akomodim dhe shërbim ushqimor). Ai po shihte rritje deri në 2019-n, pas kthimit të Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik. Pesha e tij në PBB zbriti me 1.31 pikë përqindje, duke arritur në 15.6% të PBB-së në 2020-n, më e ulëta, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT raporton të dhënat. “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor” është sektori me rënien më të lartë vjetore në peshën që zë në ekonomi.

-Pesha e “Administrata publike; Arsimi; Shëndetësia, puna sociale”, e treta më e larta, u rrit me 0.7 pikë përqindje, në 12.4%, pas shtimit së shpenzimeve buxhetore për të përballuar pandeminë dhe tërmetin.

-Industria, aktiviteti i katërt më i madh në vend pa një rënie në strukturën ekonomike me 1.1 pikë përqindjeje, duke zbritur në 10.5%, niveli më i ulët nga viti 2009. Mbyllja e përkohshme e fabrikave dhe rënia e porosive nga partnerët e jashtëm, bënë që industria të humbte të paktën 210 milionë euro në 2020-n, sipas të dhënave të INSTAT. Edhe ky sektor është një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me rreth 143 mijë të punësuar.

-Ndërtimi u rimëkëmb në 6 mujorin e dytë. Rritja reflekton dy tendenca, e para shtimi i banesave rezidenciale, kryesisht në kryeqytet dhe hoteleve në bregdet dhe e dyta, procesi i rindërtimit. Ndërtimi është një sektor ciklik, që e shënoi lulëzimin e vet nga fillimi i tranzicionit deri në 2007-n, duke shfrytëzuar nevojën për strehim dhe kaosin urbanistik dhe pas kësaj periudhe filloi rënien. Në 2020-n, ndërtimi iu rikthye sërish rritjes, duke reflektuar dhe nivelin e lartë të lejeve të ndërtimit për banesa rezidenciale nga 2018-s , sidomos në kryeqytet dhe lulëzimin e turizmit, që nxiti investimet në hotele. Në 2020-, pesha e ndërtimit ndaj PBB-së arriti në 9.2% (0.6 pikë përqindje më shumë se viti i mëparshëm), niveli më i lartë nga viti 2013.

Aktivitetet shkencore dhe sociale, kontribuuesi i gjashtë më i madh në PBB, me 6.56% në 2020-n shënuan një rënie të lehtë me 0.2 pikë përqindje, pasi e morën veten në tremujorin e katërt të vitit. Ky aktivitet përfshin shërbimet juridike, inxhinierike, kërkimet e tregut si dhe aktivitete të tjera profesionale.

-Aktivitetet e pasurive të paluajtshme ishin sektori me ecurinë më të mirë në 2020-n. Pesha e këtij sektori në PBB u rrit me 0.8 pikë përqindje, duke arritur në 6.55%, pothuajse sa aktivitetet shkencore dhe sociale dhe duke qenë aktiviteti që ka rritjen më të madhe në peshën ndaj PBB-së në 2020-n. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme kanë shënuar rritje gjatë të gjithë tremujorëve, madje edhe në të dytin kur vendi ishte në karantinë totale (+5.47%), ndërsa gjithë vitin e mbylli me një zgjerim prej 6.74%. Edhe në vlerë nominale, ky është sektori që kryeson ndryshimin e rritjes ekonomike në 2020-n. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme në vlerë ishin rreth 850 milionë euro, duke arritur në 6.55% të PBB-së, ose një pikë përqindje më shumë se një vit më parë.

Drejtues të agjencive të pasurive të paluajtshme në vend pohuan se faktor kryesor i rritjes të aktivitetit të tyre në 2020 ishte nga pastrimi i parave të shumë ndërtime që po kryhen në Tiranë. Sipas tyre, paratë ilegale po financojnë një pjesë të lartë të ndërtimeve në kryeqytet.

Agjenci të tjera, si faktorë për shtimin e aktivitetit veçuan edhe rritjen e numrit të lejeve të ndërtimit, kreditimin me interesa të ulëta dhe procesin e rivlerësimit.

-Informacioni dhe komunikacioni, e rrit lehtë peshën në PBB nga 2.9% në 3%, pasi pandemia nxiti interesin për teknologjinë e informacionit, me punën që distancë dhe zgjerimin e shitjeve online.

-Ndonëse në një vit me shumë kufizime, pesha e “Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi”, mbeti e pandryshuar në 2.3%, pasi mungesa e udhëtimeve jashtë u kompensua me turizmin e brendshëm.

-Pesha e “Aktivitete financiare dhe të siguracionit u ul me 0.25 pikë përqindje në 2%, ku më i prekur ishte sektori i sigurimeve (sidomos me kartonin jeshil, pas ndalimit të udhëtimeve jashtë), ndërsa sektori bankar ka arritur ta kalojë më mirë pandeminë, i nxitur dhe nga masat mbështetëse të Bankës së Shqipërisë dhe tendenca e rritjes së kursimeve që ishte e pranishme gjatë gjithë 2020-s.

/Monitor/K.B/NOA.al