Motra, kërkesë për gruan që ka humbur dëshirën për të vazhduar jetën pas vdekjes së nënës
Transmetuar më 18-04-2021, 00:08

Familja është institucioni më i rëndësishëm që ka një individ, dhe si e tillë fatkeqësitë dhe problemet që lidhen me të, shënjojnë tepër jetën dhe botëkuptimin e çdokujt. Programi “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel, mbrëmjen e sotme trajtoi historinë e dy motrave, Rovenës dhe Elonës, të cilat fatkeqësisht kishin humbur kohët e fundit nënën e tyre. Rovena në studio rrëfeu se ato ishin rritur në një familje konservatore ku prindërit për t’i mbrojtur nga rreziqet e vitit 1997 e kishin martuar atë dhe Elonën në një moshë shumë të re. Për Rovenën, kjo martesë nuk kishte qenë çelësi i lumturisë pasi midis saj dhe ish- bashkëshortit kishin nisur mosmarrëveshjet dhe debatet e vazhdueshme. Ajo tregoi se ishte dhunuar vazhdimisht nga ish- bashkëshorti dhe se pas disa kohësh kishte marrë vendimin që të divorcohej. Rovenës gjatë kësaj periudhe të vështirë i kishte qëndruar pranë Elona e cila ishte kujdesur vazhdimisht për të dhe fëmijët e saj.

Por fatkeqësisht, pak kohë më parë, pikërisht në kulmin e pandemisë, nëna e tyre kishte kaluar një komplikacion të rëndë shëndetësor dhe kishte ndërruar jetë. Për shkak të kushteve të vështira pandemike, sipas Rovenës e motra, Enola nuk ka mundur ti vijë maksimalisht në ndihmë nënës dhe kjo i ka mbetur peng asaj.

Rovena për këtë arsye kishte zgjedhur që të ftonte në anën tjetër të studios, Enolën,  për ta falenderuar që i ka qendruar pranë në momentet më të vështira, por dhe që të çlirohet nga përgjegjësia dhe faji që ndjen lidhur me humbjen e të ëmës, pasi kjo po e pengonte që të vijonte jetën normalisht. “Enola ti e di shumë mirë se sa pranë më ke qëndruar kur unë kisha problemet e mia dhe për këtë gjë të falenderoj shumë. Por dua që të vazhdosh jetën normalisht, humbja e nënës ishte e shkruar të ndodhte ashtu dhe as ti as ne nuk kemi faj për këtë. Prandaj të lutem më premto që do të ndryshosh dhe do të fillosh te jetosh jetën si më parë!”,- ishte mesazh i Rovenës për motrën e saj.

Nga ana tjetër, Enola e priti mjaft mirë surprizën e të motrës dhe e përlotur premtoi se do të përpiqet që ta pranojë fatkeqësinë e ndodhur, si dhe të jetojë jetën prej së cilës ka kohë që është shkëputur.