Transmetuar më 17-04-2021, 14:27

Pas operatorëve turistikë pritet që të vaksinuarit e radhës do të jenë punonjësit e fabrikave dhe transportuesit e udhëtarëve.

Gjatë inspektimit nga afër të procesit të vaksinimit të operatorëve turistikë shefi i qeverisë Edi Rama  ka deklaruar se së shpejti do të nisë vaksinimi për punonjësit e fasonerisë dhe transportuesit e udhëtarëve.

Rama ndër të tjera tha se hotelet, duke nisur nga bregdeti, do të jenë covid-free para sezonit turistik. Paralelisht vaksinimi do të vijojë edhe me të moshuarit.

“Sot është e rëndësishme që të informohen edhe të tjerët. Qeveria është gati për të vaksinuar të gjithë personelin e strukturave hoteliere, duke filluar me ata në bregdet që do kenë më shumë turistë dhe me këtë vaksinim japin një garanci më shumë për turistët që do vijën të gjejnë hotele që janë të lira nga COVID”.

“Pastaj do vazhdojë dhe me të tjerët, por të gjithë të aplikojnë dhe të futen në radhë për të marrë vaksinën. Dy kategoritë e tjera janë punonjësit në fabrika dhe një kategori shumë e rëndësishme janë edhe transportuesit të udhëtarëve, janë në një zonë risku të konsiderueshme”, tha Rama, nga Durrësi, ku vijoi fushatën elektorale.

"Jemi koordinuar për të filluar sot me të gjithë punonjësit e operatorëve turistikë në vend. Nga sot janë rreth 2000 punonjës të operatorëve turistikë që fillojnë vaksinimin në këtë fazë të parë sepse në vijim do të shtohen. Vaksinimi ka filluar jo vetëm në Durrës, por edhe në Vlorë, Lezhë", tha Manastirliu.

Manastirliu bëri me dije se në qendrën e vaksinimit në Durrës janë vaksinuar mbi 20 mijë qytetarë dhe ndërkohë që janë mbi 314 mijë vaksinime të kryera në gjithë vendin.

Përveç sasisë së vaksinave kineze deri nesër priten edhe mbi 90 mijë vaksina AstraZeneca./a.m/NOA.al