
Shtetet e Bashkuara po përgatiten për mundësinë që një vaksinë përforcuese do të nevojitet 9-12 muaj, pasi njerëzit fillimisht të jenë vaksinuar kundër COVID-19, tha të enjten një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërsa kohëzgjatja e imunitetit pas vaksinimit është duke u studiuar, vaksinat përforcuese mund të jenë të nevojshme, tha në komisionin e Kongresit Amerikan, David Kessler, zyrtari kryesor shkencor në grupin e punës të krijuar nga Presidenti Joe Biden për reagimin ndaj COVID-19.
“Mendimi i tanishëm është se ata që janë më të prekshëm do të duhet të vaksinohen të parët”, tha zoti Kessler duke nënvizuar se vaksinimi do të duhet të ribëhet rreth një vit pas dozave që po jepen aktualisht.
Të dhënat fillestare kanë treguar se vaksinat e kompanive Moderna Inc dhe kompanitë partnere Pfizer Inc dhe BioNTech SE ruajnë pjesën më të madhe të efektivitetit të tyre për të paktën gjashtë muaj.
Edhe nëse mbrojtja zgjat disa muaj më tepër, ekspertët kanë thënë se përhapja e shpejtë e varianteve të koronavirusit dhe viruseve të tjera që mund të shfaqen mund të çojë në nevojën për vaksinime të rregullta përforcuese – ashtu siç veprohet me vaksinat vjetore për gripin.
Shtetet e Bashkuara po ndjekin rastet e infektimit të njerëzve që janë vaksinuar plotësisht, tha Rochelle Walensky, drejtore e Qendrave të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, në seancën dëgjimore të një nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve.
Nga 77 milionë njerëz të vaksinuar në Shtetet e Bashkuara, ka patur 5800 riinfektime, tha zonja Walensky, përfshirë 396 njerëz që u desh të shtrohen në spital dhe 74 të cilët vdiqën.
Zonja Walensky tha se disa nga këto infeksione kanë ndodhur sepse personi i vaksinuar nuk ka dhënë një përgjigje të fortë imunitare. Por shqetësimi është se në disa raste, ato po ndodhin tek njerëzit e infektuar nga variantet më ngjitëse të virusit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





