Transmetuar më 15-04-2021, 22:26

Lideri i opozitës Lulzim Basha mori “timonin” e kryeministrit  dhe thotë se një nga vendimet e para që do të marrë në pushtet do të jetë ulja e çmimit të naftës me 240 lekë për litër.

Qeveria shqiptare me procesin e vaksinimit dështoi ashtu si me menaxhimin e pandemisë prej një viti dhe shëndetësisë në 8 vite, tha Basha.  – “Sipas të dhënave shumica e gazetarëve dhe operatorëve kanë refuzuar të bëjnë vaksinën sepse kur nuk ka transparencë, nuk ka besueshmëri. Nuk ka rrugë tjetër për të luftuar me efektivitet pandeminë përveç vaksinimit”.

“Vaksinimi nuk është proces personal, shqiptarët duhet ta kuptojnë se vaksinat blihen me paratë e taksave të shqiptarëve. Besueshmëria vjen përmes transparencës, si mund të ketë transparencë kur ti thua po sjell një çantë por nuk po e them nga erdhi, kur t’i e kthen procesin në fushatë për interesa private, politike apo elektorale. Si në tetë vite edhe në menaxhimin e pandemisë, ky kryeministër ka dështuar për shkak të mungesës së transparencës që ka rrënuar besueshmërinë te procesi i vaksinimit” tha ai.

Cili do të jetë një nga vendimet e para që do të merren nga qeveria e ardhshme të 100 ditëshit të  parë?

“Edhe më parë” premtoi Basha gjatë rrugës për në Elbasan teksa u shpreh, “Po rendim drejt njerëzve, ëndrrës së tyre për ndryshim”.

Biznesi i vogël është bërë pjesë e betejës dhe debatit mes Ramës dhe Bashës, por çfarë premton ndryshe PD-ja nëse do të vijë në pushtet, cili është plani konkret?

“Nuk ka më ligj, ka gjobëvënie pa fund, çdo ditë falimentojnë 60 biznese, që do të thotë 60 kryefamiljarë nuk çojnë më një rrogë në shtëpi. Kjo klimë nuk m und të vazhdojë më, shumë e bizneseve shqiptare janë për ndryshimin”.

“Zotohemi që ato pjesë të planit që kanë të bëjnë me biznesin e vogël dhe të mesëm ti bëjmë realitet me afate kohore, vendosjen e tavanit mbi taksat lokale prej 0.5% të xhiros. Biznes i vogël do të quhet çdo biznes me xhiro nën 140 milionë të vjetra në vit”.

“Angazhimet e tjera, që ky terror psikologjik i inspektorateve të marrë fund, duke fiksuar pullën fiskale” – tha Basha i ftuar në emisionin “Log.”

Kryeministri i Edi Rama, i ftuar në një ekran tjetër sakaq ka sqaruar thirrjen e tij ndaj Lulzim Bashës, duke thënë se nuk e ka ftuar të bashkëqeverisë por sipas tij të bashkëpunojë me të në të mirë të vendit, pasi sipas tij, kreu i PD-së do të vazhdojë në opozitë.

Rama më tej theksoi se është i gatshëm të ndërtojë një rrugë bashkëpunimi në funksion të krijimit të një fuqie të përbashkët për çështjet e mëdha të vendit dhe një energji të re.

“Unë nuk ofrova ta blej Bashën se nuk është një lojtar që është Mesi apo Ronaldo. Nuk jemi në fushën e shitblerjes së lojtarëve të mëdhenj. Unë jam i gatshëm që të ndërtoj një rrugë bashkëpunimi shumë të ngushtë me opozitën që do dalë nga zgjedhjet dhe me Bashën në funksion të krijimit të një fuqie të përbashkët për çështjet e mëdha të vendit dhe një energjie të re që spostohet nga konsumi i jashtëzakonshëm i politikës së sherrit, ndasive përçarëse te fokusi i çështjeve. Kjo ishte dhe kjo është. Kjo gjë do karakter dhe Basha nuk e ka dhe nuk e ka pasur kurrë”, u shpreh Rama.

/a.m/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd