
Rama është i bindur në fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit, që do t’i jepnin atij mandatin e tretë. Ai thotë se si fitues do t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit opozitës. Në MCN TV, Rama shpjegoi arsyet e gatishmërisë së tij për bashkëpunim.
“Ne do t’i kemi votat dhe kjo nuk diskutohet. Ne do të marrim mandatin e tretë. Unë jam i gatshëm të ndërtoj një rrugë bashkëpunimi të ngushtë me opozitën në funksion të një fuqie të përbashkët për çështjet e mëdha të vendit. Një fuqi që spostohet nga ndasitë, te fokusi i çështjeve. Do karakter kjo punë dhe Basha nuk e ka karakterin e një lideri. Atë o e ke o s’e ke.
Pse e keni provuar në 2017?
Ka një diskutim të vjetër si mund të kapërcehet ky konflikt. Është një konflikt të paktën që nga Lufta e Dytë Botërore mes një pale dhe një tjetre, që pastaj është transferuar në një luftë terrori gjatë komunizmit dhe është rikthyer në formën e një revanshi më pas dhe ka mbetur në fund si një mur Berlini, pra Berlini ynë politik. Njerëz të ndarë me thikë për arsye që unë mendoj se janë të tejkalueshme.
Ndoshta shqiptarët këtë duan…
Lidershipi është të udhëheqësh jo të ndjekësh. Unë jam i gatshëm të punoj për këtë. Kjo do të ishte gjëja më e mirë që kjo gjeneratë politike do t’i linte brezave.
Lulzim Basha e ka refuzuar…
Unë mendoj që shqiptarët në thelb duan atë që mungon: që politika të merret shumë më tepër me ta dhe më pak me vetveten. Unë do të luftoj për këtë në sensin që të krijohen hapësira dhe të ndërtohen ura.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





