Transmetuar më 15-04-2021, 17:23

Krijoi jo pak reagim deklarata e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila në një studio televizive u shpreh se shqiptarët duhet të votojnë ndryshimin.

Kjo u interpretua si një thirrje për të mbështetur opozitën, por ambasadorja Kim u kujdes që ta sqaronte këtë deklaratë.

Madje edhe sot, nga Fieri, u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mbështesin asnjë kandidat apo parti politike.

“Është pjesë e përpjekjeve të mia që të shikoj sa më shumë nga Shqipëria, veçanërisht duke pasur parasysh se jemi para zgjedhjeve të 25 prillit. Unë jam një person shumë i drejtpërdrejtë dhe ju siguroj që nëse do të doja që ju të votonit për dikë do ua thosha, dhe jo një mesazh të fshehur.

SHBA-të nuk mbështesin një parti apo një kandidat të caktuar politik, e vetmja gjë që mbështesim është e drejta e popullit shqiptar që të shprehë vullnetin e tij përmes votës. Paralajmërojmë kundër kujtdo që duan ta mohojnë këtë të drejtë duke e blerë apo duke e shitur votën.

Kjo është shumë e rëndësishme që votuesit ta mbajnë mend që ata kanë fuqinë, por edhe përgjegjësinë. Jam e frymëzuar sot, sepse në Vlorë jam takuar me drejtuesit e shoqërisë civile aty, në një demokraci shoqëria civile ka një rol jetik”, deklaroi ambasadorja Yuri Kim. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd