Basha, marrëveshje me biznesin e vogël dhe të mesëm, rritet në 14 milionë lekë kufiri i TVSH
Transmetuar më 14-04-2021, 13:54

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha firmosi sot një marrëveshje me Shoqatën Kombëtare të Biznesit të Vogël dhe të Mesëm. Në marrëveshje bien në sy disa avantazhe të rëndësishme për këtë kategori që përbën mbi 98.8% të numrit të përgjithshëm të bizneseve në Shqipëri dhe ka rreth 52% të numrit të përgjithshëm të punësuarve në sektorin privat.

Mes të tjerash, në angazhimet e PD është çlirimi i tregut nga oligarkia, krimi dhe burokracia. Pakti përfshin uljen e menjëhershme të barrës fiskale. Basha tha se pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është një reformë e thellë fiskale që do të realizohet brenda 90 ditëve të para të qeverisjes së PD.

Risi është rritja e kufirit të regjistrimit për TVSH-në në 14 milionë lekë të reja, që do të jetë një kufi i vetëm, si për TVSH-në ashtu edhe për tatimin mbi të ardhurat.

Për bizneset deri në këtë vlerë do të ketë një tavan 0.5 % të xhiros vjetore për të gjitha taksat e tarifat kombëtare dhe lokale. Këtu lideri demokrat ka sqaruar opinionin publik se tymnaja e hedhur nga qeveria dhe Rama që shprehen se Basha synon të rrisë në 9 për qind taksat për biznesin e vogël nga 0 që është prej 2021 deri më 2029, është e rreme, pasi plani i PD është taksë e sheshtë 9 për qind vetëm për biznesin e madh.

"Jo, biznesi i vogël, pra çdo sipërmarrje me xhiro nën 140 milionë lekë të vjetra në vit do të ketë një tavan të taksave dhe tarifave vendore prej jo më shumë se 0.5 %", njoftoi Basha. Kështu ai shpalosi avantazhin ndaj qeverisë e cila nga njëra anë ka bërë që nga 2021, tatim mbi fitim zero për bizneset deri 14 milionë lekë dhe nga ana tjetër arkëtojë përmes taksave dhe tarifave vendore nga 7500 deri 250 mijë lekë të reja në vit.

Basha paralajmëroi se do të inkurajohen bashkitë të kenë taksa edhe më të ulëta duke theksuar se "nuk do ti lejojmë në asnjë rast të jenë më të larta" se deri në 0.5 për qind të xhiros vjetore.

Kryetari demokrat tha se me kufizimin me ligj të taksave vendore për të mundësuar këtë tavan çka do të sjellë edhe reduktimin e ndjeshëm të detyrimeve fiskale, pagimi i kuotave fikse nga biznesi i vogël do të shoqërohet me marrjen e një pulle fiskale, ngjitja në vitrinë e të cilës është edhe ndalim kalimi apo shenja stop për kontrollin dhe inspektimin.

Një tjetër pjesë e marrëveshjes është ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore në masën 18%.

Po ashtu do të shfuqizohet me efekt të menjëhershëm taksa Rama për karburantet për rreth 24 lekë për litër. Basha tha se kjo do të ketë një efekt të menjëhershëm tek biznesi i vogël, por po kështu dhe biznesi i madh dhe ekonomia në tërësi.

Ndryshime do të ketë dhe te faturat e dritave. Metodologjia e caktimit të çmimit të energjisë për biznesin njësoj si dhe për popullatën do të reformohet tërësisht dhe çmimi i energjisë për biznesin do të ulet ndjeshëm. Për çdo zhvillim teknologjik dhe informatikë, biznesit të vogël dhe të mesëm do ti lihet një afat kohor i arsyeshëm për implementimin e tij.

Risi tjetër është rimbursimi i kostove të bizneseve. Ndërsa sanksionohet anulimi i fiskalizimit të cilin Basha tha se është projekt thellësisht korruptiv që do të hetohet dhe përgjegjësit do të çohen para ligjit.

Basha njoftoi se çdo pagesë e kryer deri në marrjen e përgjegjësive të qeverisjes nga Partia Demokratike do të rimbursohet nga qeveria e ardhshme.

Masa të rëndësishme rregullatore dhe fiskale do të përfshijnë: inspektoriatet e çdo lloji do të riorganizohen me një formë gjithëpërfshirëse, paralelisht me këtë reformë të gjitha bizneset do të përfitojnë një periudhë kohore 12 mujore gjatë të cilës do të inspektohen por nuk do të gjobiten. Pra një moratorium mbi gjobat për 12 muaj.

Koha e inspektimit për vit do të ulet ndjeshëm, 2-5 ditë për biznesin e vogël dhe të mesëm, 5-15 ditë për biznesin e madh dhe vetëm sipas analizës së riskut.

Marrëveshja, hyn në fuqi sot dhe zbatimi nis në ditën e parë të qeverisjes së re të dalë nga vota e 25 prillit.

Kryetari i shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, tha se nga 2013 deri më 2021 janë mbyllur 102 mijë biznese të vogla dhe të mesme që punësonin 128 mijë njerëz.

"Për ne, kjo nuk ka qenë një qeveri mike që ta shikonte biznesin si partner, për ne, kjo ka qenë armikja kryesore e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe ka qenë mikja kryesore e monopolit dhe e oligarkisë".

Nasto qartësoi se biznesi është shumë i ndjeshëm për çështje taksash. Ai u ndal te taksat vendore në Tiranë që tha se janë një çmenduri. "Jetojmë në Tiranë dhe e dimë, taksat lokale janë rritur çmendurisht, pavarësisht se kryeministri thotë taksë zero, por ne e dimë në kurrizin tonë shikojmë gjithë këto biznese, çdo familje biznesi e shikon se sa paguan. Taksat lokale dhe në Tiranë dhe në shumë qytete, janë rritur nga dy deri në dhjetë herë". /noa.al