Transmetuar më 14-04-2021, 13:20

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinjtë në Burrel ku foli për procesin e vaksinimit masiv në vend.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se pa politikën, nuk do të ishte sot e mundur kryerja e vaksinimit masiv por duhet të vazhdojmë të kujdesemi deri në fund për shëndetin tonë dhe për të ardhmen. Sipas kreut të qeverisë, pa politikën gratë ato nuk do të kishin të drejta të barabarta me burrat.

Pjesë nga fjalimi

Faleminderit për mikpritjen dhe e mirëkuptoj gjithë nervozizmin e Gonit, sepse donte që të kishim një takim më të madh, ta kishim jashtë, por nuk janë numrat në takime që tregojnë forcën, por janë numrat në votime që tregojnë forcën.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të jemi të bashkuar si shqiptarë, siç kemi qenë qysh në ditën e parë kur u detyruam të mbyllemi, për t’ia dalë deri në fund kësaj lufte ku çdo ditë po fitojmë terren ndaj armikut të padukshëm dhe ku më shpejt se shumë të tjerë po e shohim dritën që zmadhohet në fund të tunelit. Të bashkuar të besojmë fort tek fakti që krahas vaksinimit masiv duhet të jemi të kujdesshëm me distancimin.

Është shumë e rëndësishme që vaksinimi masiv të ketë sukses të plotë, një orë e më parë dhe Shqipëria e tëra të buzëqeshë përsëri, siç buzëqeshin sot, çdo ditë, mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër, nëna e baballarë që pas një sfilitjeje shpirtërore, psikologjike, por edhe një vështirësie më të madhe ekonomike për shkak të pandemisë, të vaksinohen dhe ndjehen të çliruar.

Është një moment në jetën time ku vërtet ndjej një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe ku është një mundësi reale shumë e prekshme për të kuptuar sa e rëndësishme është që politika të bjeri në duart e duhura. Ne jemi mësuar që ta trajtojmë politikën si një të keqe. Ne jemi mësuar që, kur flasim për politikën, të kemi parasysh politikanët, të kemi parasysh gjithçka, për fat të keq, jo të mirë që politikanët bëjnë. Të kemi parasysh edhe hendekun e madh që politikanët janë të aftë të krijojnë me njerëzit. Rëndom, sidomos mes të rinjve, ju dëgjoni shprehjen “varja se është e kotë. Politika është e pisët. S’dua t’ia di fare për politikën, nuk dua t’ia di se kush fiton e kush humbet, nuk dua t’ia di fare për votën”.

Në fakt, politika është e vetmja armë që kanë njerëzit që kanë vendosur të jetojnë së bashku, qysh se kanë dalë nga pyjet dhe kanë ndërtuar komunitet e pastaj kanë menduar se si të organizohen në një shtet, për të bërë gjërat që të vetëm nuk i bëjnë dot. Për të organizuar mbrojtjen e tyre, për të organizuar sigurinë e brendshme të komunitetit, për t’u organizuar përmes kontributeve të tyre që të ndërtojnë infrastrukturën, spitalet, çerdhet, kopshtet, shkollat, që të  garantojnë se ata që janë më të pamundur të ndihmohen. Të gjitha këto i bën politika./K.B/NOA.al