Rama me të rinjtë e teknologjisë, flet për 2 programe të reja kombëtare
Transmetuar më 11-04-2021, 13:04

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinj të angazhuar në HighTech. Ai u tha se bota juaj "është një botë e jashtëzakonshme, por sidoqoftë e padukshme për shumë vajza dhe djem dhe ky është dhe prioriteti i parë që ne kemi, për lejimin që këtë botë ta hapim dhe ta bëjmë të dukshme për të tjerët, duke iu krijuar juve mundësi që të kemi më shumë kapacitet për të përfshirë më shumë njerëz duke u krijuar të tjerëve mundësi që ta aksesojnë këtë botë".

Rama përmendi disa shifra që tha se janë inkurajuese: "150 start up-e vetëm me fondin e vënë në dispozicion të sfidës së inovacionit nuk janë pak. Ashtu sikundër nuk janë pak, edhe të gjitha përpjekjet e bëra nga disa prej jush, për të shkuar përtej rrethit të aktivitetit të tyre, siç është rasti i Orit që është angazhuar në këtë proces fantastik të aksesimit dhe trajnimit të të rinjve të tjerë, për t’u bërë gati për botën e re"

"Ne kemi bërë një analizë dhe kemi kalkuluar që është plotësisht e mundur që përmes Planit tonë të Veprimit 2021-2025 të vendosim një fond garancie sovrane për gjithë ata që janë të përfshirë në këtë botë dhe që e dëgjova eshe nga dikush prej jush, që kanë problem me institucionet financiare. Një fond garancie prej 50 milionë eurosh, i cili të lehtësojë në mënyrë të ndjeshme aksesin tuaj në financimin e aktivitetit", vijoi Rama.

Ai njoftoi se qeveria ka përcaktuar në Planin e Veprimit, dy programe të rëndësishme kombëtare, njëri është inovacioni dhe ekselenca në IT dhe tjetri është inovacioni dhe ekselenca në manifakturë.

Duke analizuar historikun e zhvillimit të teknologjisë në funksion të njerëzve dhe në funksion të qeverisjes së vendit, Rama tha se sot jemi në një nivel komplet tjetër.

"Ne e nisëm me 14 shërbime on line në 2013-ën dhe sot jemi me 1277 shërbime që janë gati 95% e shërbimeve. Sfida është që të mbyllim ciklin, sepse një pjesë e këtyre shërbimeve janë me një kalim. Ti bën aplikimin on line, por shërbimin nuk e merr të gjithë on line dhe kjo ka lidhje me database dhe ka lidhje me kapacitetin për të kthyer mbrapsh on line shërbimin. Psh, kadastra ku një pjesë e konsiderueshme jepet online, ka dhe një pjesë tjetër që nuk jepet on line për shkak të databases dhe futjes në database të gjithë tokave, pronave të administruara. Mbetemi me një 5% për shkak se duhet të jetë individi aty se nuk mund të bësh on line marrjen e gishtave për pasaportën, një shembull për t’u kuptuar". /noa.al