Transmetuar më 10-04-2021, 20:01

Finalizohet operacioni​ policor i koduar “EL MEJOR”, sekuestrohen rreth 143 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Arrestohen në flagrancë 2 administratorët e kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. ​ Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera se në një kontenier fshihej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë, në bashkëpunim me autoritetet doganore​ dhe portuale, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “EL MEJOR”. ​ Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në një kontenier të ngarkuar me banane, i cili ishte nisur nga porti i GUAYAQUIL në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “GIOIA TAURO”, Itali​, me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Tiranë, me administratorë shtetasit E. P. dhe K. X., shërbimet policore dhe ato doganore gjetën të fshehura në tavanin e kontenierit​, pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë totale 143 kilogramë. ​ Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestuan në flagrancë shtetasit K. X., 30 vjeç dhe E. P., 42 vjeç, të dy banues në Tiranë. ​ Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. /noa.al