Transmetuar më 10-04-2021, 19:06

Skënderbeu ndal Tiranën.

Ish-skuadra e tij i mori Orges Shehit barazimin pa gola në Korçë.

Rezultati i vlen më shumë ekipit të Migen Memellit në tentativën për të qëndruar në Superiore.

Për Tiranën, kjo është një pengesë në dëshirën për të marrë pjesë në kupat e Europës këtë sezon.

Në pjesën e parë rastin më të mirë për të shënuar e pati Vitija i Skënderbeut, por goditja me kokë shkoi mbi traversë.

Korçarët madje shënuan me Elvi Berishën por anësori ngriti flamurin për pozicion jashtë loje.

Tirana u ngjit në vendin e pestë me 42 pikë, ndërsa Skënderbeu mban vendin e parafundit me 23 pikë.

Kukësi u rikthye tek fitorja pas thuajse dy muajsh.

Verilindorët fituan 3-0 ndaj Kastriotit. Të gjithë golat e ekipit të Josës u shënuan në pjesën e dytë.

Eze ziguroi avantazhin në minutën e 50’ dhe më pas dyfishoi në të 59’. Llogaritë i mbylli Bruno Lulaj në minutën e 72’, në fitoren e pastër që rikthen qetësinë në kampin verilindor.

Kjo fitore e ngjit Kukësin në kuotën e 35 pikëve.  Bylis mban vendin e tretë nga fundit, me 26 pikë.

Kryeson Teuta me 49 pikë pas javës së 27-të, Vllaznia në vend të dytë me 47 dhe Laçi në vend të tretë me 45 pikë. Partizani mban vendin e katërt me 44 pikë.

Partizani përballet nesër me Bylis në ora 18:00.